Duke filluar prej presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi duke vazhduar me kryeministrin Isa Mustafa e deri tek kryeparlamentari Kadri Veseli e kanë quajtur Kushtetuesen një institucion kredibil. Të tre këta drejtues të shtetit janë ndihmuar direkt ose indirekt nga Gjykata Kushtuese.
Krerë të shtetit kanë lavdëruar gati në qiell institucionin që për 7 vite më shumë sesa ka hequr dilema i ka shtuar ato. Kjo është Gjykata Kushtetuese e Kosovës e cila për 7 vite të funksionimit ka rrëzuar presidentë ka legjitimuar vendime e procese të cilat kanë pasur ndikim jetik në politikën e vendit
Qytetari Tomë Krasniqi ka qenë i pari që i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në mars të vitit 2009, tre muaj pas themelimit të saj, në janar të atij viti.
Kërkesa e tij ishte e thjeshtë: nuk dëshironte ta paguante tarifën prej 3.5 eurove për televizionin publik së bashku me faturën e KEK-ut.
Krasniqit i ishte refuzuar ankesa duke thënë se bëhej fjalë për një rast personal dhe se “nuk mund të flitet për një actio populario”.
Kjo kishte ngjallur reagime nga shumë qytetarë të cilët kishin ankesë të njëjtë ndërsa pagesa për RTK-në nëpërmjet faturës së KEK-ut ishte hequr me 1 dhjetor 2009.
Qysh prej këtij vendimi e deri më sot, kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës mbush 7 vjet të funksionimit si “gardian i Kushtetueses”, vendimet e këtij institucioni kanë ngjallur reagime kundërshtuese në raport me politikën, shoqërinë civile, grupe të interesit dhe qytetarët.
Qysh atëherë kjo Gjykatë ka rrëzuar presidentë, ka hequr mandate të politikanëve e ka legjitimuar vendime politike.
Ndërsa drejtuesi i tij për shumë vite Enver Hasani është vënë në shënjestër të kritikave të pafundme për anshmëri.
Por për krerët e politikës në vend, sidomos për ata që janë në pozita drejtuese, në 7 vjetorin e themelimit të këtij institucioni, Kushtetuesja është një përfaqësim i denjë i mbrojtjes së aktit më të lartë të vendit.
Duke filluar prej presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi duke vazhduar me kryeministrin Isa Mustafa e deri tek kryeparlamentari Kadri Veseli e kanë quajtur Kushtetuesen një institucion kredibil.
Por në fakt të tre këta drejtues të shtetit janë ndihmuar direkt ose indirekt nga Gjykata Kushtuese.
Hashim Thaçi tha se “Gjykata Kushtetuese është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në funksionimin e demokracisë në Kosovë”.
Kushtetuesja në fakt ka qenë institucioni që e ka legjitimuar atë si president përkundër faktit se ai është zgjedhur si president në një situatë mjaftë të tensionuar.
Kjo gjykatë 5 vite më herët kishte rrëzuar nga posti i presidentit liderin e AKR-së, ish partnerin e Thaçit, Behxhet Pacollin, pasi që ishte zgjedhur sipas vendimit duke mos qenë të pranishëm 120 deputetë.
Vet Pacolli kishte reaguar ndaj kësaj “padrejtësie” duke shtruar pyetjen se përse në rastin Thaçit Gjykata Kushtetuese thotë se “në raundin e parë dhe të dytë mjafton të jenë të pranishëm dy të tretat e Kuvendit që të zgjidhet Presidenti”.
Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar nga pozita edhe presidentin tjetër Fatmir Sejdiu pasi kishte gjetur se një president nuk mund të jetë kryetar partie.
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar mbrëmë se presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, “e ka shkelur seriozisht Kushtetutën e Kosovës”, përkatësisht nenin 88.2.
Isa Mustafa, kishte ardhur në krye të LDK-së pak a shumë pas kësaj situate të krijuar në LDK ku pritej të mbaheshin zgjedhjet.
Por, Mustafa ka një histori të vështirë me Gjykatën Kushtetuese gjatë “ngërçit” politik, të shkaktuar pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014.
Atë kohë, Isa Mustafa së bashku me tri parti të tjera opozitare – Lëvizjen Vetëvendosje, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën – krijuan një koalicion paszgjedhor me qëllim që të largonin nga pushteti Partinë Demokratike të Kosovës, e cila ishte rikonfirmuar si parti fituese . LDK e Isa Mustafës ishte partia më e madhe në atë koalicion, por kjo nuk e kishte ndaluar atë që të “kënaqej” vetëm me pozitën e kryeparlamentarit, duke ia lënë drejtimin e qeverisë Ramush Haradinajt.
Sot ai thotë se “Gjykata Kushtetuese ka bërë këto vite një punë tepër të rëndësishme në mbrojtjen dhe forcimin e shtetit të Kosovës”.
Përmes një vendimi kundërthënës, gjykata e kishte pezulluar zgjedhjen e Isa Mustafës si Kryetar i Kuvendit, duke ia garantuar këtë të drejtë vetëm PDK-së,të cilën kushtetuesja e njihte si grupin më të madh parlamentar në Kuvend.
Pas kësaj koalicioni opozitar u prish.
Mustafa u bë kryeministër ndërsa Kadri Veseli kryetar i Kuvendit.
Në këtë mënyrë, Kushtetuesja “ i ka ndihmuar” Veselit që të vij në këtë pozitë.
Sot Veseli e quan këtë institucion si njërin prej më të rëndësishmëve për krijimin e një shteti të fuqishëm dhe stabil që respekton të drejtën.
Lista e vendime kontroverse të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është e gjatë.
Një prej më të komentuarve është edhe Asociacioni i Komunave Serbe të Kosovës.
Sipas Gjykatës Kushtetuese parimet e përgjithshme në këtë asociacion nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës.
Kjo kishte zbehur edhe më shumë besimin e kësaj gjykate tek opozita dhe grupe të ndryshme shoqërore.
Përtej trumbetimit të Kushtetueses si një “gardian të Kushtetutës” nga liderët e vendit për qytetarët në shumë anketime ky institucion nuk rangohet në ndonjë vend të lakmueshëm, teksa beteja për drejtësi të barabartë për të gjithë mbetet ende një rrugë e gjatë për tu kryer./Insajderi.com