Bora bëhet skllotë – Thaçi i thotë fjalët e Haradinajt

Bora bëhet skllotë – Thaçi i thotë fjalët e Haradinajt

Presidenti Thaçi para pak muajsh e uronte kryeministrin Haradinaj që ‘bora të mos bëhej skllotë’ , duke ironizuar kështu me deklaratën e kryeministrit Haradinaj ‘për shkrirjen e borës’.

“Bora do të shkrihet dikur”, ishte përgjigja që kryeministrit Ramush Haradinaj, kur u pyet nëse do të hiqet taksa apo do të rrëzohet Qeveria.

Por situata duket se ka ndryshuar. Si duket presidenti Thaçi ka ndërruar qëndrim lidhur me taksën ndaj Serbisë. Derisa para pak muaj Thaçi ironizonte me deklaratat e kryeministrit Haradinaj për mos heqjen e taksës ndaj Serbisë, sot presidenti ndan qëndrim të njejtë me kryeministrin.

Ai mbështet idenë e Haradinajt.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Thaçi e ka quajtur fyerje lobimin për ta hequr taksën ndaj Serbisë në këmbim të vizave.

“Bredhja turistike e disa diplomatëve të rangut të ulët fshehtas nga një kënd në këndin tjetër të Prishtinës, nga një zyrë në zyrën tjetër të institucioneve vendore, duke lobuar për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë në këmbim të liberalizimit të vizave, është fyerje e radhës për institucionet dhe qytetarët e Kosovës”.

“Këto projekte janë të turpshme, dhe si të tilla, plotësisht të papranueshme, sot dhe gjithmonë. Kosova është një dhe e pandashme”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.