Mevlyde Saraçi mohon se ia ka dhënë fotografinë Flora Brovinës

Mevlyde Saraçi mohon se ia ka dhënë fotografinë Flora Brovinës

Përfaqësuesja e Grupit të Shoqërisë Civile, Mevlyde Saraçi, e cila u akuzua nga deputetja e PDK-së Flora Brovina që ia kishte dorëzuar fotografinë për kinse dhunimin e një gruaje kosovare nga ushtarët serbë, të cilën e paraqiti dje në publik, ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me atë fotografi.

Përmes telefonit, ish- deputetja e LDK-së, i tha KosovaPress-it se hera e parë që e ka parë atë fotografi ka qenë dita e djeshme kur deputetja Brovina e prezantoi para mediave dhe në Kuvendin e Kosovës.

“Po më vjen shumë keq që më paska përfshi në një situatë të tillë. Hera e parë që e kam parë atë fotografi është dita e djeshme kur me shumë vëmendje e kam përcjellë ngjarjen”, tha Saraçi.

Ajo madje tha se është e çuditshme se si në këto momente deputetja Brovina po kujtohet për të.

“Unë që nga viti 2007 jam e papunë, dhe Flora Brovina nuk u kujtua kurrë për mua, ndërsa u kujtua të më përfshijë në këtë rast. Por s’ka gjë, do të merrem me këtë çështje dhe do ta bëjë demantin e duhur”, tha Saraçi përmes telefonit.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, deputetja e PDK-së Flora Brovina pasi është  intervistuar nga prokuroria në lidhje me fotografinë e publikuar e cila doli të jetë pjesë e një filmi pornografik irakian, tha se atë fotografi e kishte pranuar në vitin 2003 nga ish deputetja e LDK-së,  Mevlyde Saraqi, e cila në atë kohë mbante postin e nënkryetares së Komisionit për Persona të Zhdukur.