
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka reaguar lidhur me skandalin e deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Flora Brovinës gjatë ditës së djeshme në seancën e jashtëzakonshme.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri e ka quajtur gabim spontan dhe tërësisht njerëzor atë se çfarë ka bërë Flora Brovina, përcjell Gazeta Insajderi.
Sipas tij, deputetja Brovina është pjesë e pandashme e brezit të njerëzve të veçantë të historisë së Kosovës.
“Flora Brovina ka qenë dhe është një ndër gratë e spikatura të shoqërisë tonë që i ka rezistuar dhe iu ka kundërvënë dhunës sistematike të regjimit serb të Millosheviqit. Pasioni i saj për të demaskuar dhunën shtetërore të Serbisë mbi civilët shqiptarë, mbi gratë, pleqtë dhe fëmijët, i ndjekur edhe nga veprimet e saj në ndihmë familjeve dhe nënave para dhe gjatë kohës së luftës, e ka bërë Florën pjesë të pandashme të brezit të njerëzve të veçantë të historisë sonë më të re”, ka shkruar Tahiri.
Sipas Tahirit, gabimi është njerëzor dhe ky gabim nuk duhet të bëjë që të harrohet puna e aktivistë Brovina.
“Ishte pikërisht ky pasion i saj për t’i kontribuar dëshmisë mbi krimet serbe në Kosovë, nxitja që e shtyu për të publikuar një dëshmi për këto krime, e pavetëdijshme se autenticiteti i kësaj dëshmie nuk qëndron. Pavarësisht këtij gabimi tërësisht njerëzor dhe spontan, nuk mund të harrojmë se Flora Brovina është rrëfimi ynë i përbashkët, i një aktivisteje që ishte halë në sytë e regjimit të Millosheviqit dhe viktimë e tij” ka përfunduar ai. /Insajderi.com