Aktakuza e ngritur sot ndaj kryetarit të Nismës për Kosovës, Fatmir Limajn, për vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ka bërë bujë edhe në mediet ndërkombëtare.
Mediet më prestigjioze botërore si New York Times, Washington Times, ABC News e Daily Mail kanë raportuar për aktakuzën e ngritur ndaj ish-komandantit të brigadës 121 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Insajderi.
“Prokurorët e Kosovës kanë ngritur aktakuzë ndaj një politikani të njohur në Kosovë për krime luftë, që lidhen me dy vrasje të kryera gjatë luftës së Kosovës në vitin 1998”, shkruan gazeta e njohur amerikane New York Times.
New York Times citon ish-komandantin e UÇK-së të njohur me nofkën “Çeliku”, të ketë thënë se “ky rast është duke u keqpërdorur me qëllim përndjekjen ndaj meje”.
Ndërkohë portali amerikan Fox News shkruan se “Politikani kosovar akuzohet për krime të lidhura me luftën e Kosovës”.
Aktakuza e ngritur ndaj Limajt është raportuar edhe në Serbi, vend ky që ka qenë i përfshirë në luftën e Kosovës, në vitin 1998-1999. /Insajderi.com