Kaq votues pritet të dalin nesër në zgjedhje në katër komunat veriore

Kaq votues pritet të dalin nesër në zgjedhje në katër komunat veriore

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka njoftuar për oraret e hapjes së votimeve dhe për mbajtjen e konferencave për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen të dielën në veri të Kosovës.

Përmes një njoftimi, KQZ-ja ka bërë të ditur se procesit zgjedhor në katër komunat veriore do t’i nënshtrohen 57.983 qytetarë me të drejtë vote.

KQZ-ja ka njoftuar se do të mbajë pesë konferenca për media gjatë ditës së nesërme për të dhënë detaje për procesin zgjedhor.

Në orarin e përcjell nga KQZ-ja, konferenca e parë do të mbahet në orën 08:00 për të njoftuar për hapjen e qendrave të votimeve. Në ora 11:30, KQZ-ja do të njoftojë për numrin e votuesve deri në këtë kohë. Edhe në orën 15:30 konferenca për media ka për qëllim që të njoftojë për numrin e votuesve dhe zhvillimet e tjera. Kurse në orën 19:30, KQZ do të njoftojë për pjesëmarrjen në votime deri në mbylljen e vendvotimeve. Për konferencën e pestë, kur do të bëhen publike rezultate preliminare, thuhet se mediat do të njoftohen me kohë.

Në Komunën e Leposaviqit garojnë tre kandidatë për kryetarë, dy nga parti shqiptare dhe një nga një parti serbe, sikurse edhe në Zubin Potok, Zveçan e në Mitrovicën e Veriut.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 8 prill kishte shpallur datën e zgjedhje të jashtëzakonshme për 19 maj në katër komunat veriore të Kosovës pas dorëheqjeve (27 nëntor, 2018) nga katër kryetarët e atëhershëm të këtyre komunave si masë kundërshtuese ndaj taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.