Dalin pamjet kur u pa për herë të fundit llapjani që u zhduk qe katër ditë

Dalin pamjet kur u pa për herë të fundit llapjani që u zhduk qe katër ditë

Hetem Dedaj 44 vjeçar nga Burica e Podujevës ka katër ditë që është zhdukur. Që nga dita e mërkurë familja nuk ka asnjë informacion rreth vendodhjes së tij. Telefonin e ka të ndalur, ndërsa për herë të fundit është parë duke hypur në stacionin e autobusëve në Podujevë për të ardhur në Prishtinë. Vëllai i tij, Mehdiu, tregon se Hetemi, ka pasur shëndet të mirë mendor dhe fizik, thotë se nuk ka qenë i futur në ndonjë telashe.

Hetem Dedaj udhëtonte çdo ditë nga Podujeva në Prishtinë për të kërkuar punë. Ai kohë pas kohe arrinte të punonte si punëtor fizik në ndonjë shtëpi private. Ditën kur edhe është zhdukur, babai i dy fëmijëve, ishte nisur për punuar.

Vëllai i tij, Mehdiu, flet për momentet e fundit ku është parë Hetemi.

“Vëllai është i zhdukur prej të mërkures… Të mërkurën është dalë prej shtëpisë në ora 10.15, në Prishtinë ka mbërritur në orën 11.34”, tha Mehdiu.

Nga ajo ditë, familjarët e kanë kërkuar në shumë vende si dhe rastin e kanë raportuar në polici, mirëpo ende nuk ka asnjë të re rreth vendodhjes së tij.

“Telefon ka majt me veti, e ka të ndalur. E kemi raportu në polici të ejten…Te të afërmit kemi kqyr nuk e kemi gjet kerkund hiç”, rrëfen Mehdiu për Gazetën Express.

Ai thotë se Hetemi ka qenë në gjendje të mirë fizike dhe psikike por frikësohet se ka mundur t’i ndodh diçka atë ditë.

“Me shëndet mirë u kan, po e kom dyshimin që është i dekt, e ka lëshu shpirti dikun”, thotë Mehdiu.

Mehdi Dedaj ka gruan dhe dy fëmijë, familjarët e tij lusin të gjithë që në rast se kanë ndonjë informacion për të të lajmërohen.