Milaim Zeka krahason rastin e Flora Brovinës me atë të Avdullah Hotit

Milaim Zeka krahason rastin e Flora Brovinës me atë të Avdullah Hotit

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, e ka mbrojtur deputeten e PDK-së, Flora Brovinën pas skandalit me publikimin e fotografisë të gjoja një gruaje kosovare duke u dhunuar nga disa ushtarë serbë, e që doli të jetë e rreme.

Zeka ka krahasuar tentimin e Brovinës për të mos e pranuar skandalin me fotografinë, me tentimin e djeshëm të shefit të GP të LDK-së, Avdullah Hotit, që thoshte se nuk ka qenë prezent në rrahjen mes zyrtarëve të kësaj partie në Mitrovicë.

“Sa është dëmi i shkaktuar nga fotografia e publikuar nga ana e Flora Brovinës dhe sa është dëmi i shkaktuar në opinion nga ana e shefit të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, zotëri Avdullah Hoti, i cili edhe pse dalin incizimet në Mitrovicë se janë t’u rreh me grushta e boksa, ky ka fytyrë me dalë edhe me thanë unë nuk kam qenë fare prezent në Kuvendin e Lidhjes Demokratike në Mitrovicë. Se ju tanë po griheni kështu sallata a po kupton, po i bini rrotull anej–knej; tash më vjen keq që Avdullahi nuk është këtu me u ballafaqu. Unë më të do të thotë kur një njeri universitar, ish-ministër del e rren, shef i Grupit Parlamentar del e rren qëllimshëm” ka thënë Zeka.

Sipas tij, dëmi politik që kanë shkaktuar deklaratat e Brovinës dhe të Avdullah hotit është i barabartë.

“Imagjinoni vuajtjet e Flora Brovinës, torturat nëpër burgje, humbja e memories, dridhja kur fol për gjana të cilat ajo vet i ka përjetu dhe që është marrë me të gjitha këto poshtërsi dhe fyerje që na ka bo regjimi shqiptaro–serb. Prandaj po them që dëmi politik është i barabartë kur njeriu rren publikisht”, ka thënë ai. /Insajderi.com