Rrëfimi i Liburn Aliut për masakrën në burgun e Dubravës: S’ka drejtësi për këtë masakër

Rrëfimi i Liburn Aliut për masakrën në burgun e Dubravës: S’ka drejtësi për këtë masakër

I mbijetuari i masakrës në Burgun e Dubravës, deputeti i Vetëvendosjes Liburn Aliu, në foltoren e Kuvendit ka rrëfyer për përjetimet e tij në këtë ngjarje të rëndë.

“Është e rëndë të përshkruash vuajtjen dhe humbjen e jetëve të të rinjve të shumtë në këto beteja dhe masakra. Rrëfimin tonë e bën më të lehtë krenaria që ndjejnë për guximin,vullnetin dhe vendosshmërinë e atyre djemve që ranë. Masakra në burgun e Dubravës për nga tmerret dhe mizoritë nuk dallon nga masakrat e tjera dhe vuajtjet e popullit tonë, jo vetëm në luftën e fundit, por edhe në luftërat e mëhershme gjatë viteve të shekullit që shkoi”, tha Aliu.

Aliu thotë se të veçantë këtë masakër e bën vendi dhe mënyra se si ndodhi ajo – masakër në burg ndaj të burgosurve të paarmatosur dhe të mbyllur në një hapësirë katrore prej 12-13 hektarë në cepet e të cilit janë Kullat e Vrojtimit.

“Kjo hapësirë rrethohet me mur që është 4-5 metra i lartë. Brenda kësaj hapësire gjendeshin 1000 të burgosur të cilët në këto ditë maji të vitit ‘99 u goditën dhe u gjuajtën nga katër anët. Cilindo lëvizje në përpjekje për t’i shpëtuar gjuajtjeve të vazhdueshme nga serbët, prapë gjendeshim para njërës nga Kullat e Vrojtimit nga të cilat gjuhej vazhdimisht”, tha Aliu.

Aliu ka thënë se për këtë masakër ka shumë fakte, dëshmi dhe dëshmitarë të gjallë.

“Të gjithë këta të burgosur kanë qenë të regjistruar në dokumente zyrtare. Të gjithë kanë pasë fletë-arreste, aktakuza ose kanë qenë të dënuar”.

“Shumica prej tyre janë vizituar dhe regjistruar nga organizata ndërkombëtare e “Kryqit të Kuq”. Gjatë tërë kohës deri në ditën e masakrës është bërë numërimi dhe rinumërimi i të burgosurve nga organet zyrtare, sipas procedurave të parapara”, tha Aliu.