Djali i axhës së Ferid Aganit vazhdon të përfitojë tenderë nga Ministria, një muaj pas arrestimit

Vetëm dy javë pas arrestimit nga Policia e Kosovës, Armend Agani, i cili deri më 26 prill, me 34% ishte aksionari kryesor i kompaninë "Agani Ltd Sh.P.K", mori lajmin se ishte shpallur fitues në një tender në vlerë prej mijëra eurove nga Ministria e Shëndetësisë për "Furnizim me barna nga Lista Esenciale për FSSH dhe DF në MSH". 

Djali i axhës së Ferid Aganit vazhdon të përfitojë tenderë nga Ministria, një muaj pas arrestimit

Një muaj pas arrestimit nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve, Armend Agani, djali i axhës së ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, vazhdon të përfitojë tenderë nga institucionet shtetërore.

Vetëm dy javë pas arrestimit nga Policia e Kosovës, Armend Agani, i cili me 34% ishte aksionari kryesor në kompaninë “Agani Ltd Sh.P.K“, mori lajmin se ishte shpallur fitues në një tender në vlerë prej mijëra eurove nga Ministria e Shëndetësisë për “Furnizim me barna nga Lista Esenciale për FSSH dhe DF në MSH”.

E rreth një muaj më vonë, kompania “Agani Ltd Sh.P.K” ka nënshkruar kontratën në vlerë prej 51,940 eurove me Ministrinë e Shëndetësisë. Por, tash Armend Agani nuk figuron si aksionar. Prej datës 26 prill, aksionet e tij i janë bartur djalit të tij, Don Aganit.

Mirëpo, përveç këtij tenderi, “Agani L.t.d Sh.P.K” ka nënshkruar kontrata në vlera milionëshe me institucionet e Kosovës në të kaluarën. Gjatë dy viteve të fundit, kompania “Agani Ltd SHPK” kishte fituar tenderë në vlerë prej mbi 1 milion eurove për furnizim me pajisje mjekësore.

Armend Agani, së bashku me bashkëpunëtoren e tij Liljana Smiliq, u arrestuan më 10 prill të këtij viti nën dyshimin për hapjen e paligjshme të klinikës “BEL MEDIC INTERNATIONAL D.O.O.” me bazë në Graçanicë. Hetimet ndaj tyre po vazhdojnë, ka konfirmuar Prokuroria e Shtetit të mërkurën.

Në një bisedë me Insajderin, prokurori i këtij rasti, Kujtim Munishi ka thënë se Armend Agani dyshohet për keqpërdorim të dokumenteve të tre mjekëve të tjerë për licencimin e klinikës “BEL MEDIC INTERNATIONAL D.O.O.“, në të cilën ai posedon 30% të aksioneve.

“Klinika ende nuk është mbyllur”, ka thënë prokurori Munishi. “Por këta dy persona [Agani dhe Smiliq, v.j] dyshohen se kanë keqpërdorur dokumentet e tre mjekëve të tjerë për licencimin e kësaj klinike. Mjekëve të cilëve u kanë marrë diplomat”.

Ndonëse prokurori Munishi kishte bërë kërkesë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Aganit dhe Smiliqit, Gjykata kishte vendosur kundër kësaj kërkese.

“Gjykata nuk i ka caktuar Aganit dhe Smiliqit masën e paraburgimit, por i ka lëshuar në lajmërim në stacionin policor – masën më të butë të mundshme”, ka deklaruar Munishi. “Unë kam bërë ankesë në Gjykatën e Apelit; Apeli e ka vërtetu vendimin e shkallës së parë të Gjykatës”.

Klinika “BEL MEDIC INTERNATIONAL D.O.O.” vazhdon të operojë dhe ndodhet në Graçanicë.

Sipas Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve, kjo poliklinikë ofron këto aktivitete: Aktivitetet e mjekësisë së praktikës së përgjithshme, aktivitetet e mjekësisë së specializuar, publikimi i revistave dhe periodikëve, aktivitetet e dentistëve, aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut etj..

Po ashtu aktivitetet e tjera shërbyese të ushqimit, aktivitetet shërbyese të pijeve, transporti tjetër rrugor i pasagjerëve, aktivitetet e spitaleve, akomodime të tjera, rregullimi i aktiviteteve të subjekteve, që ofrojnë shërbime shëndetësore, shërbime arsimore dhe kulturore, si dhe shërbime të tjera sociale, përjashtuar sigurimin social.

Armend Agani është djali i axhës së Ferid Aganit, ish-ministrit të Shëndetësisë, i cili po ashtu tash e disa vite është përballur me drejtësinë.

Muajin e kaluar, Ferid Agani u gjet fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si ‘Stentat’. Gjykata e dënoi me 2 vjet e gjashtë muaj burgim.

Ish ministri Agani dhe Gani Shabani akuzohej se kishte vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015. /Insajderi.com