Britania e Madhe dhe BE-ja deklarohen kundër Tribunalit për krimet e Serbisë

Britania e Madhe dhe BE-ja deklarohen kundër Tribunalit për krimet e Serbisë

Institucionet e Kosovës kanë vazhduar me nismat dhe zotimet se do të gjykojnë dhe dënojnë të gjitha krimet e pretenduara të Serbisë gjatë konfliktit të viteve 1998-’99, por aktorët ndërkombëtarë nuk janë përfshirë në këtë iniciativë.

Madje, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe janë shprehur kundër kësaj nisme, teksa kanë inkurajuar ndjekjet e mundshme penale për krimet e dyshuara të luftës në Kosovë dhe Serbi, “në kuadër të juridiksioneve përkatëse të tyre.”

Në një përgjigje me shkrim për Insajderin, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se ndonëse mbështet llogaridhënien për të gjitha krimet e dyshuara të kryera gjatë luftës në Kosovë, BE inkurajon Kosovën që këto krime të dyshuara t’i hetojë përmes organeve të drejtësisë në vend.

“Ngjarjet e viteve 1990 kanë lënë shumë viktima dhe po ashtu kanë lënë familjet e tyre në kërkim të drejtësisë. Të gjitha komunitetet duhet të bëjnë hapa konkret. Pozicioni i BE-së është se duhet të jepet llogari për të gjitha krimet e kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi në vitet 1990”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Mirëpo, Bashkimi Evropian thekson se nuk është e përfshirë në nismën e Kuvendit të Kosovës për krijimin e një Tribunali ndërkombëtar për krimet e kryera nga Ushtria e Serbisë në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998-’99.

“Bashkimi Evropian nuk është i përfshirë në iniciativën e fundit të Kuvendit të Kosovës për krijimin e një gjykate të re. Ne konsiderojmë se kuadri ligjor ekzistues mundëson hetimin e duhur dhe ndjekjen penale të krimeve të dyshuara të luftës në Serbi dhe Kosovë, në juridiksionet e tyre përkatëse”, ka thënë Zyra e BE-së në Prishtinë.

Kundër formimit të Tribunalit Ndërkombëtar për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë është shprehur edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, në një bashkëbisedim me qytetarë në rrjetin social Facebook të enjten, deklaroi se krimet e dyshuara të jenë kryer gjatë luftës, duhet të gjykohen nga gjykatat vendore.

Ai ka thënë qartë se Britania e Madhe nuk e mbështet krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet e dyshuara të luftës nga Serbia në Kosovë.

“Kur po flet për një tribunal ndërkombëtar për krime dhe gjenocid serb, jam pak i brengosur për terminologjinë. Kosova ka sistem gjyqësor, i cili mund të gjykojë krimet që janë kryer në territorin e Kosovës, pse nuk po e përdorni atë? Kosova nuk mund të krijojë një tribunal ndërkombëtar”, ka thënë O’Connell, të premtën.

“Kosova ka gjykatat e saj të cilat duhet të kenë interes t’i gjykojnë krimet e kryera gjatë luftës. Dhe ato janë plotësisht të fuqishme ta bëjnë atë”, u shpreh O’Connell.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, rreth një muaj më parë, ka nisur iniciativën për krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë.

Ai ka theksuar që, lidhur me krimet e Serbisë në Kosovë, do të punojë drejtësia vendore, por edhe ajo ndërkombëtare.

“Tribunali ndërkombëtar do të marrë kohë. Nuk do të ndodhë ditën e enjte, Mund të marrë kohë shumë. Për vet faktin që Komisioni shtetëror, pasi që të krijohet, i ka një varg masash dhe hapash, të cilat duhet t’i kryej. Pastaj, duhet të shkojmë në fund të asaj e që do të jenë aktakuzat. Aktakuzat do të ngrihen nga vet Prokuroria dhe gjyqësia jonë”, ka theksuar Veseli javën e kaluar.

Ndërkaq, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dhënë mbështetje nismës së Kuvendit të Kosovës.

Thaçi ka thënë se “është mirë që më në fund, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vendosur që në mënyrë të bashkuar të lëvizet përpara me nxjerrjen e një rezolute dhe dokumenteve tjera pasuese, ku dënohet qartë gjenocidi i Serbisë i kryer në Kosovë dhe kërkohet drejtësi nga të gjitha instancat ndërkombëtare”. /Insajderi.com