Aktakuza e Prokurorisë dëshmon manipulimin e fajdegjive me emra të politikanëve dhe bizneseve

Aktakuza e Prokurorisë dëshmon manipulimin e fajdegjive me emra të politikanëve dhe bizneseve

Indeksonline ka siguruar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 21 mars 2018, kundër Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit, të cilët, së bashku me Ekrem Likën, në vitin 2011-2012 kanë mashtruar Faton Dalladakun, prej të cilit kanë marrë 290.810.00 Euro, duke u prezantuar rrejshëm si njerëz të afërt të Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit.

E tërë skema e këtij mashtrimi bëhet kinse me qëllim të ndërmjetësimit për blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës në Prishtinë mes Ekrem Llukës si shitës dhe Faton Dalladakut si blerës, duke paraqitur kontrata dhe aksione të rrejshme.

Përveç mashtrimit me dy emra të njohur të politikës kosovare, Kadri Veseli dhe Xhavit Haliti, të përmendur dhe të involvuar në takime të mashtrueseve, në bazë të Aktakuzë,s po dalin edhe disa emra nga politika kosovare.

Në takime të këtij grupi, në bazë të Aktakuzës, është edhe përfshirja e Rasim Selmanajt, Deputetit të AAK-së, dhe Islam Selimit.

Bazuar në provat materiale të verifikuara nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike, si dhe në dëshmitë e disa dëshmitarëve, ky rast është gjykuar se përben vepër penale të mashtrimit për përfitim material, duke abuzuar me emrin e Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit.

“Në periudhën kohore prej 30 dhjetor 2011 deri më 24 korrik 2012, në Prishtinë, në zyrën e të dëmtuarit Faton Dalladaku, të pandehurit, së bashku me të pandehurin tjetër Ekrem Lika, i cili për momentin gjendet në arrati, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten ose për tjetrin, si dhe për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, e vënë në lajthitje të dëmtuarin Faton Dalladaku, në atë mënyrë që përmes të pandehurit Kadri Rexhepi prezantohen rrejshëm para të dëmtuarit, edhe atë Rrahim Hashimi si i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, ndërsa Ekrem Lika si dhëndër i Kadri Veselit”, thuhet në Aktakuzë.

Rrahim Hashimi, para hetuesve policorë, siç thuhet në Aktakuze, ka deklaruar se “Kadri Veselin e njeh vetëm nga mediat dhe se personalisht nuk ka pasur fare kontakte me të”.

Edhe Kadri Rexhepi, sipas Aktakuzës, në mbrojtjen e tij të dhënë në hetuesi, ka deklaruar nuk e ka takuar asnjëherë Kadri Veselin.

“Dalladaku në hetuesi ka sqaruar se si është njohur fillimisht me të pandehurin Kadri Rexhepi, i cili më pas e kishte njoftuar me të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lika, për të cilët Kadri Rexhepi i kishte thënë se Rrahim Hashimi është njeri i afërt me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin, ndërsa Ekrem Lika është dhëndër i Kadri Veselit, dhe se këta dy persona janë me ndikim të madh në politikë, ashtu që të tre së bashku i kanë premtuar se në bazë të ndikimit të madh që e kanë te të lartpërmendurit, do të ndërmjetësonin për blerjen e Spitalit Qendra Kardiake e Kosovës nga tanimë pronari Ekrem Lluka nga Peja”, thuhet ndër tjera në Aktakuzë.

Në Aktakuzë, po ashtu, thuhet se tre të pandehurit, kinse pas disa takimeve dhe bisedave që kishin zhvilluar përmes Rasim Selmanajt, kishin arritur të takoheshin me Ekrem Llukën dhe se ai ishte pajtuar për shitjen e spitalit dhe se i kishin prezantuar një kontratë dhe një certifikatë, të pakompletuar, sipas të cilës rezultonte se Ekrem Lluka posedonte 80 për qind të aksioneve të spitalit, ndërsa Rrahim Hashimi 20 për qind të aksioneve, e që sipas Rrahim Hashimit, 100 për qind të aksioneve ishin të Kadri Veselit, por se vetëm me letra ishte kështu.

Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, të akuzuar për mashtrim, më 30. 12. 2011 ia kishin kërkuar Faton Dalladakut fillimisht 200 mijë euro dhe po atë ditë Rrahim Hashimi e kishte nënshkruar kontratën mbi shitblerjen dhe bartjen e aksioneve, për të cilën kinse më vonë do të takoheshin në Pejë me Ekrem Llukën dhe do ta nënshkruanin edhe personat tjerë.

“Më tej, i dëmtuari Faton Dalladaku deklaron se kjo kontratë nuk ishte nënshkruar as pas vitit të ri, edhe përkundër të premtimeve të të pandehurve”, thuhet në Aktakuzë.

Në Aktakuzë, po ashtu, bëhet e ditur se për këtë rast të mashtrimit kanë dhënë dëshmitë e tyre edhe Rasim Selmanaj e Ekrem Lluka.

“Se faktet e prezantuara nga të pandehurit, përkatësisht kontrata për shitblerjen e aksioneve, është përpiluar me qëllim të vënies në lajthitje të të dëmtuarit dhe përfitim të pandehurve, vërtetohet nga dëshmia e dëshmitarit Rasim Selmanaj…. Se Ekrem Lluka nuk ka qenë fare i interesuar për shitjen e Spitalit Qendra kardiake e Kosovës, por veprimet e të pandehurve kanë pasur për qëllim mashtrimin e të dëmtuarit, vërtetohet edhe me dëshminë e dëshmitarit Ekrem Lluka”, thuhet në Aktakuzë.

Mashtrimet i vërteton edhe dëshmia e dëshmitarit Bajram Plakiqi, e dhënë në hetuesi më 20.11.2017, i cili rrëfen për një takim në Ferizaj, në korrik të vitit 2012, mes tij, Kadri Rexhepit, Islam Selimit, Faton Dalladakut dhe Gazmend Qelaj.

“Me këtë rast është biseduar lidhur me atë se Fatoni kërkonte paratë që ia kishin marrë Kadri Rexhepi me Rrahim Hashimin dhe Ekrem Likën, ndërsa Kadri Rexhepi arsyetohej se kishte biseduar me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin se kinse të njëjtit i kishin thënë që Fatoni duhet me i mbledhë të gjitha paratë komplet që t’ia paguajë Ekrem Llukës Spitalin. Ky dëshmitar më tej shton se duke e njohur karakterin e Kadri Veselit nuk kishte besuar fare që Kadri Rexhepi të ketë kontaktuar me Kadri Veselin dhe se i kishte thënë më pas Fatonit se këta janë duke të të mashtruar dhe paraqite rastin në Polici”, thuhet në Aktakuzë. /Indeksonline