PDK kërkon dorëheqjen e kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka

PDK kërkon dorëheqjen e kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka

Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Përmes një aktiviteti simbolik, para Komunës së Prizrenit rinia e PDK-së ka numëruar disa veprime të kryetarit Haskuka, që sipas tyre kanë qenë dështim, transmeton Telegrafi.

Në aktivitetin e Rinisë Demokratike, lidhur me gjendjen në Prizren, ishte i pranishëm kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi.

Bislimi, theksoi se qyteti emblematik Prizreni, ka dy vite që është katandisur nga aferat, korrupsioni dhe premtimet e pa mbajtura, duke u zotuar se ashtu si lideri Kadri Veseli, edhe rinia demokratike dhe të gjithë qytetarët, qëndrojnë fuqishëm kundër krimit të organizuar.

Ai po ashtu, theksoi se rinia nuk do të ndalet ta denoncojë patriotizmin e rrejshëm të shfaqur në Kuvend, angazhimin për drejtësi si dhe përkrahjen e themelimit të Gjyqit ndërkombëtar kundër gjenocidit serb në Kosovë.

Skandali i parë i evidentuar sot, ishte shpallja fituese e tenderit për pastrimin e qytetit për një kompani nga Podujeva, ku në aplikimin e saj për këtë tender, kompania ka aplikuar me librezat e makinave në gjuhen serbe që bie në kundërshtim me sloganin e bashkimit. Me të drejtë shtrohet pyetja, me cilin shtet rekomandon Vetëvendosja bashkim, potencoi  Adri Krasniqi, kryetar i Degës së Rinisë Demokratike në Prizren.

“Punësimet e militantëve dhe familjarëve të partisë në pushtetin lokal, premtim që ishte proklamuar se do ta luftojnë nepotizmin, ndërsa sot, dukuri themelore është nepotizmi në komunën e Prizrenit. Dështim tjetër i rëndë është largimi i një profesionisti në arsim dhe zëvendësimi i tij me një refer futbolli. Premtimi i bërë për shujta për nxënës nëpër shkolla, është i pa realizuar”, theksoi Adri Krasniqi. /