Priten dhjetëra ftesa të reja nga Specialja në qershor

Priten dhjetëra ftesa të reja nga Specialja në qershor

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), Flamur Hoti, është i ftuari i radhës i Gjykatës Speciale, i cili gjatë ditës së sotme do të paraqitet në Hagë për intervistim. Ndonëse kishte marrë ftesën disa javë më parë, intervistimi i Hotit është shtyrë për ditën e sotme me kërkesë të tij.

Edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” ftesën e Hotit nga Specialja, me ç’rast ka pohuar se gjatë muajit të ardhshëm (qershor) pritet të vijnë dhjetëra ftesa të reja nga kjo Gjykatë.

“Deri më tani nuk kemi ndonjë të ftuar të ri, me përjashtim të ish-pjesëtarit të UÇK-së Flamur Hotit, i cili është ftuar ditë më parë. Ne nuk kemi një shifër të saktë se sa është numri i gjithë të ftuarve nga kjo Gjykatë, sepse ka pasur të ftuar që kanë shkuar në Hagë për intervistim e nuk janë lajmëruar te ne. Disa kanë shkuar pa i informuar mediet, prandaj nuk kemi një numër të saktë, por presim ftesa të reja prapë pas muajit maj të këtij viti”, ka deklaruar Gucati për Zërin.