Ka përfunduar takimi që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka mbajtur me Këshillin e Sigurisë, pas situatës së sotme në veri të Mitrovicës, ku nga rezistenca e armatosur u plagosën 4 policë dhe u arrestuan të paktën 30 persona.
Pas takimin me drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhunin, drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalajn dhe udhëheqësit e insitucioneve të drejtësisë, Thaçi i ka quajtur populiste deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se do të mund të intervenojnë në veri nëse ROSU nuk tërhiqet.
Ai ka thënë se Vuçiq e di dhe është i bindur se nuk mund ta vizitojë Kosovën. Thaçi tha se nëse do të ndodhë diçka e paparashikueshme, institucionet e sigurisë, përfshirë FSK-në do të jenë të gatshme për intervenim, shkruan Inajderi.
“Deklaratat e Vuçiqit janë populiste. Ai e di shumë mirë që nuk mund të lëvizë në drejtim të Kosovës. Kjo është e pamundur dhe e paimagjinueshme. Edhe vetë ai është i bindur. Por në çdo rast, institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë FSK-në, janë në gjendje gatishmërie”, tha Thaçi.
“Institucionet e sigurisë janë duke i kryer punët e tyre me përpikmëri”, shtoi ai. /Insajderi.com