Kusari-Lila thotë se Gjakova është diskriminuar sikur Afrika e Jugut

Kusari-Lila thotë se Gjakova është diskriminuar sikur Afrika e Jugut

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, thotë se trajtimi që i është bërë Gjakovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, mund të cilësohet si “diskrimin racor”

Madje nën-presidentja e AKR-së që është dorëhequr nga ajo pozitë, ka bërë një krahasim të Gjakovës me trajtimin që i bëhet vendeve të Afrikës së Jugut.

“Sikur të isha në Afrikë të Jugut do të thosha se po bëhet një diskriminim në bazë të ngjyrës, pra diskriminim racor”, ka thënë Kusari-Lila në “Komitet” në RTV Dukagjini.

Sipas Kusari-Lilës që është në përpjekje ta  krijoj një parti të re, ajo ka qenë kryetarja që më së shumti ka dorëzuar projekte në Qeveri por që nuk ka marrë përgjigje pse janë refuzuar të përkrahen.

“Ja unë e kam kërku prej Qeverisë ja nuk e di kush, por nuk kam marrë përkrahje. Krejt ajo që mund të them është se nuk ekziston sqarimi pse është injoruar Gjakova”, ka thënë Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka folur edhe për partinë e re, e cila ende nuk është zyrtarizuar por që ka “debutuar” në Kuvendin Komunal të Gjakovës, ku një grup i asambleistëve të disa partive politike i kanë dhënë mbështetje kësaj iniciative.

Sipas saj, ende nuk është vendosur për emrin e partisë, por ajo ndër variantet e propozuara do të dëshironte që partia të quhej Alternativa.

Kryetarja e Gjakovës nuk ka dhënë detaje rreth asaj se kush tjetër është pjesë e iniciativës, duke thënë se ata po vazhdojnë kontaktet në komunat e tjera të Kosovës./Insajderi.com