
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hudhur poshtë aktakuzën ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PSD-së, Frashër Krasniqi, si dhe disa zyrtarëve e aktivistëve të tjerë të Lëvizjes “Vetëvendosje”.
Deputeti Krasniqi dhe bashkë-partiaku i tij, Zgjim Hyseni, dhe zyrtarët e VV-së, Boiken Abazi e Etleva Malushaj, si dhe aktivistë të tjerë, akuzoheshin për “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, lidhur me protestën e organizuar në janar të vitit 2015, në të cilën kërkohej shkarkimi i ministrit të atëhershëm për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq.
Protestat në këtë rast kishin nisur pas deklaratës së Jabllanoviqit, i cili i kishte quajtur nënat gjakovare “egërsira”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, aktakuzën në këtë rast e kishte ngritur më 20 korrik të vitit 2016, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktvendimi për hudhjen e kësaj aktakuze është marrë më 23 prill të vitit 2019, nga gjykatësi Alban Ajvazi, pasi paraprakisht prokurori Ali Hajdini është tërhequr nga ndjekja penale.
Në aktvendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se prokurori Hajdini i ishte drejtuar gjykatës, më 18 prill të këtij viti, ku përmes parashtresës, e ka njoftuar atë se heq dorë nga ndjekja penale ndaj të akuzuarve në këtë rast.
Sipas aktvendimit, prokurori Hajdini, heqjen dorë nga ndjekja penale, e ka arsyetuar me faktin se provat që gjenden në shkresa të lëndës “janë të pambështetshme dhe thelbësisht të pabesueshme” dhe si të tilla nuk vërtetojnë elementet qenësore të veprës penale, me të cilën ngarkohen të akuzuarit.
Në rrethana të tilla, gjykatësi Ajvazi ka nxjerrë aktvendim për hudhje të aktakuzës dhe në të njëjtën kohë ka pushuar procedurën penale ndaj deputetit Krasniqi dhe të tjerëve.
Sipas aktvendimit, të dëmtuarit Daut Bajrami, Afrim Gërxhaliu, Ali Pllana, Labinot Fejzullahu dhe Afërdita Jashari, që të gjithë zyrtarë policorë, janë udhëzuar që kërkesën pasurore juridike ta realizojnë në kontest civil.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 20 korrik 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Frashër Krasniqi, Gëzon Kastrati, Bekim Gashi, Adem Megjuani, Egzon Azemi, Agron Kabashi, Petrit Ademi, Nora Fetoshi, Etleva Malushaj, Egzon Balaj, Rejhan Fejza, Fatos Sahiti, Pleurat Thaqi, Durim Elshani, Alban Makolli, Arbër Sejdiu, Flamur Pireva, Boiken Abazi, Zgjim Hyseni, Imer Fejza, Dritëro Çadraku dhe Arianit Manxhuka në drejtim të kryerjes së veprës penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 412 par.1 të KPRK-së.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më 16 janar 2015, rreth orës 12:55 në Fushë Kosovë, përballë objektit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të akuzuarit kanë marrë pjesë në protestën e organizuar, e cila ka qenë e paralajmëruar dy ditë më parë, përkatësisht më 14 janar 2015, në shenjë pakënaqësie për deklaratat e ministrit të atëhershëm Aleksandër Jabllanoviq, duke brohoritur para dyerve të ministrisë.
Sipas prokurorisë, edhe përkundër faktit se forcat e rendit ishin rreshtuar dhe mbanin situatën nën kontroll, të akuzuarit si pjesëmarrës aktiv të protestës, i kanë sulmuar seriozisht pjesëtarët e Policisë së Kosovës si dhe kanë tentuar që me forcë të hyjnë në objektin e Ministrisë, duke gjuajtur me mjete të ndryshme të forta në drejtim të veturave, të cilat kanë qenë të parkuara brenda rrethojave të objektit të Ministrisë.
Tutje, sipas akuzës, të akuzuarit janë penguar nga Policia dhe gjatë kësaj proteste janë lënduar zyrtarët policorë në Fushë Kosovë, Daut Bajrami, Ali Pllana, Afrim Gërxhaliu, Labinot Fejzullahu dhe Afërdita Jashari, të cilët kanë pësuar dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin si dhe janë shkaktuar dëme materiale si në pronën shoqërore, ashtu edhe në atë private.
Ndryshe, protestat në këtë rast kishin nisur pas deklaratës së Jabllanoviqit, i cili i kishte quajtur nënat gjakovare “egërsira”, e përmes të cilave kërkohej shkarkimi i tij nga posti i ministrit për Komunitete dhe Kthim, që mbante në qeverinë që udhëhiqej nga koalicioni PDK-LDK-Lista Serbe.
Me kërkesa të njëjta, në shumë qytete të Kosovës ishin organizuar protesta gjithëpopullore, me ç’rast ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, më pas kishte marr vendim për shkarkimin e Jabllanoviqit, nga posti i ministrit për Komunitete dhe Kthim.