
Eroll Belegu, këshilltari i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt ka vlerësuar se posedon një orë dore në vlerë të 20 mijë eurove.
Ai në deklarimin e tij të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), ka treguar se ora që ai posedon është në vlerë të 20 mijë eurove. Këtë orë në arsyetimin e tij e ka siguruar nga bizneset e tij, shkruan Insajderi.
Belegu në deklarimin e tij po ashtu ka thënë se nga biznesi ka edhe disa pasuri të tjera të luajtshme. Ka përmendur një mercedes në vlerë të 35 mijë eurove. Këshilltari i kryeministrit ka potencuar se ka edhe piktura në vlerë të 5 mijë eurove.
Belegu përveç mercedesit ka edhe një veturë tjetër të vitit 2018. Ka përmendur se veturën e dytë të tipit Nissa në vlerë të 30 mijë eurove është e fëmijëve të tij.
Këshilltari i kryeministrit si pasuri të paluajtshme ka deklaruar edhe dy shtëpi në rezidencën Marigona. Njërën në vlerë të 600 mijë eurove dhe tjetrën në vlerë të 170 mijë eurove. Në pronësi të Belegut është edhe një banesë tjetër për të cilën thotë se nuk e ka paguar ende.
Përkundër që Belegu duket mjaftë i pasur me orë të shtrenjtë, vetura dhe shtëpi, ai nuk qëndron njëjtë edhe në xhirollogaritë bankare. Në katër xhirollogaritë e tij bankare thotë se ka rreth 10 mijë euro./Insajderi.com