Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka zgjedhur të përdorë një fjalë të cilin kryeministri shqiptar Edi Rama e tha shumë gjatë një debati televiziv me disa analistë e gazetarë nga Kosova.
Fjala “o portal” që Rama e përdori në mënyrë cinike në një numër rastesh gjatë debatit, ka zënë vend edhe në fjalorin e Isa Mustafës, teksa ky i reagon një mediumi lidhur me një shkrim të publikuar për shpenzime qeveritare.
“Thirrja ‘O portal’ u komentua gjerë e gjatë këto dite. Tani po lexoj në një portal se “Isa Mustafa harxhon 6 mijë euro për t’i pastruar veturat e Qeverisë”. Unë i them portalit, se nuk janë këto para të Isa Mustafës, por janë të buxhetit të Kosovës dhe shpenzohen (jo harxhohen sepse nuk janë njësi fizike) me vendim të Kuvendit, i cili ka aprovuar buxhetin për vitin 2016,” ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
“Janë zyrtarët e caktuar që e kanë përgjegjësinë për pastrimin e veturave të Qeverisë, jo Kryeministri, kurse çmimet i përcakton tregu”.
Debati i zhvilluar mes kryeministrit Rama dhe analistëve e gazetarëve të Kosovës ngjalli reagim në opinion teksa kryeministri shqiptar i kritikua për mënyrën e komunikimit gjatë emisionit./Insajderi.com