Astrit Deharit i ka rënë shpeshherë që të mbajë në duar pankarta me thirrjen “Drejtësi” por të dielën pasdite aktivistë të tjerë kanë mbajtur një pankartë të tillë, si kërkesë e vetme për vdekjen e Deharit.
“Nuk po më besohet se po kërkojmë drejtësi për vdekjen e tij”, thotë një nga aktivistët që po mbante pankartën.
Pas 20 minutash ai zëvendësohet nga një tjetër aktivist, e kështu bëjnë të gjithë.
Dy të tjerë rrinë gatitu para fotografisë së Deharit, pranë së cilës lule të bardha vendoseshin në shenj nderimi.
Dehari vdiq në një mënyrë të dyshimtë sipas prokurorisë, dje pasdite në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Vdiq në ditën e 68 të paraburgimit nën akuzën se kishte sulmuar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës me 4 gusht të këtij viti.
Paqartësia e vdekjes së tij është edhe dhimbja më e madhe për shoqërinë, familjen dhe aktivistë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, që të dielën bënë homazhe për Deharin, duke ndezur qirinj, por duke mos e thënë asnjë fjalë.
Shumë nga ta, shkruan kujtime në librin që ishte hapur poshtë shkallëve të teatrit.
“Kujtimi yt është motiv i yni”, ka shkruar dikush.
Për shumë nga miqtë e Deharit, ai mbetet një nga personat më të dhënë në aktivizim dhe angazhimet politike. Por edhe për njerzillëkun e tij.
“Në Jalë, në verën e 2014, kaluam shumë net të trishta së bashku. Ti kujtoje Arbnorin, e unë Monin. Ngushëllim dhe forcë gjenim tek angazhimi ynë dhe vazhdimi i rrugës së tyre, Astrit. Këtë po përpiqem ta bëjë edhe sonte, por është e vështirë. Ti ishe nder më të mirët shokë. Ti na duheshe neve aktivistëve, aq sa i duheshe kauzës tonë. Ishe shumë i mirë, për të na lënë kaq herët”, ka shkruar një nga miqtë e Deharit në profilin e tij në Facebook.
Të parët që ndezin qirinj janë liderët e partisë Vetëvendosje, Visar Ymeri, Albulena Haxhiu, Rexhep Selimi e shumë të tjerë.
Pas tyre janë aktivistë dhe miq të tij. Ata nuk i mbajnë lotët për dallim prej politikanëve.
Por ngushëllohen mes vete.
Të fortë janë edhe prindërit e Deharit. Mes turmës ata ngjiten tek fotografia e djalit të tyre, i dyti të cilin e kanë humbur brenda disa vitesh.
Rituali i homazheve vazhdon për më shumë se një orë derisa shkallët e teatrit mbushen me qirinj. Askush nuk e tha asnjë fjalë dhe masa u shpërnda tek pas një më shumë se një ore kohë.
Qirinjtë dhe lulet hiqen pasi masa shpërndahet teksa VV-ja ka paralajmëruar një mbledhje komemorative në nderim të Deharit./Insajderi.com