Autoriteti i Aviacionit Civil deklarohet për incidentin në aeroplanin Prishtinë – Bazel

Autoriteti i Aviacionit Civil deklarohet për incidentin në aeroplanin Prishtinë – Bazel

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka reaguar pas tmerrit që kanë përjetuar 121 pasagjerë në aeroplanin Boeing të kompanisë “ALK Airlines”. Gjatë udhëtimit nga Prishtina drejt Bazelit, kanë mbetur të lënduar 10 persona si pasojë e turbulencave dhe goditjeve të pësuara.

Autoriteti i Aviacionit Civil, në një përgjigjje dërguar Insajderit thotë se ka kontaktuar me zyrtarë të kësaj kompanie ajrore dhe ka kërkuar një raport të detajuar lidhur me këtë ndodhi, që do t’i shërbente AAC-së për hetim të mëtejmë.

Ky autoritet kishte kryer inspektime edhe në kompaninë “ALK Arlines”, pronë e së cilës është edhe aeroplani ku u shkaktua incidenti, por AAC thotë se nuk ka vërejtur parregullësi.

“AAC ka trajtuar dhe trajton çdo herë shqetësimet e ngritura nga cilido person juridik apo fizik dhe merr masa parandaluese përmes inspektimeve të rregullta. Një prej inspektimeve të bëra është realizuar edhe në këtë kompani ajrore dhe gjatë këtyre inspektimeve nuk janë vërejtur parregullsi në pajisje apo përgatitje të personelit të aeroplanëve, të cilët do të mund të paraqesin ndonjë rrezikim të sigurisë së fluturimit’, thuhet në përgjigjje.

Autoriteti i Aviacionit Civil ka sqaruar si ka ndodhur incidenti dhe se çfarë e ka shkaktuar atë.

“Bazuar në informatat që tanimë janë publike, aeroplani në fjalë ka hasur në turbulencë që mund të cilësohet si shqetësuese dhe aspak e këndshme për pasagjeret në bord. Megjithëse aeroplanët që sot janë në përdorim anekënd globit para futjes në shfrytëzim nga operatoret ajror kalojnë një sërë testesh për të përballuar ngarkesat e mundshme të shkaktuara nga erërat e fuqishme dhe lëvizjet vertikale të presionit  ajrorë (turbulencat). Gjithashtu edhe ekuipazhi i fluturimit është i trajnuar për të ju përgjigjur në mënyrë adekuate dhe sa me pak shqetësuese për pasagjer”, sqaron AAC.

AAC thotë se mbetet e përkushtuar për të ofruar një ambient të sigurt për zhvillimin e operimeve të aviacionit civil në Kosovë.

Mbrëmë në bordin e aeroplanit Boeing të kompanisë “AKL Airlanes” ishin 121 pasagjerë, të cilët janë tronditur nga turbulencat në aeroplan, të cilat nisën 20-25 minuta para uljes në Bazel.

Për këtë incident, Insajderi ka marrë përgjigjje edhe nga Agjencia Kosovare e Udhëtimeve, “Prishtina Ticket” për të cilën “ALK Airlines” ofron shërbime. /Insajderi.com