Kosova 1999 – njëzetvjetori i një lufte për vlera, jo për territore

Shkruan: Halil Hyseni

Kosova 1999 – njëzetvjetori i një lufte për vlera, jo për territore

Pak ditë më parë, mes miqsh të provuar si Bill Clinton e Madeleine Albright u kremtua në Kosovë njëzetvjetori i lindjes së lirisë së saj. Njëzet vjet më parë, liria e Kosovës u ngjiz përmes bashkimit të më të fortit, NATO-s me më të shtypurin, kosovarin e dëbuar nga vatra e vet.

Njëzet vjet më parë, më 22 Prill të vitit 1999, në fjalën e tij në ‘Economic Club Chicago’, Toni Bair, një musketier i luftës së Kosovës, deklaroi: Lufta në Kosovë nuk u bazua mbi ndonjë ambicie për territore, por mbi vlera.

Historia, është e mbushur me shembuj të pafund luftërash të bëra për arsye materiale. Luftohej për shtim të pasurisë apo për shtim të territorit ku ushtrohet sovraniteti i mbretërve, i diktatorëve, i liderëve. Lufta e Kosovës solli risi. Ajo e pasuroj arsyen e luftës. E pasuroj në moral, e pasuroj me vlera. Kosova është kryeshembull ku njeriu, të drejtat e tij njerëzore u bënë arsyeja e luftës.

Ishte lufta për mbrojtjen e vlerave, lufta kundër luftës, që angazhoi jo vetëm vendimmarrësit me të mëdhenj, jo vetëm avionët më të rëndë, por edhe mendjet më të lira të kohës. Në luftë dhe për luftën në Kosovë, u angazhuan penat e arta të globit. Vaclav Havel, Artur Miler, Ismail Kadare, Umberto ECO, Evgenij Jevtushenko, Salman Ruzhdije, Amos OZ apo nobelistët Wole SOYINKA, Gabriel Garcia Marquez, Mario Vargaz Llosa, dhe shumë dekanë të tjerë të lirisë. Luftuan, me penë, në mbrojtje të vlerave. Vlerat i gjetën të mishëruara te kosovari i shtypur e i përdhunuar, te kosovari i dëbuar nga vatra e tij. Vlerat u gjetën te Kosovari që kërkonte liri. Mario Vargaz Llosa, nobelist i vitit 2010 në artikullin e tij “Një luftë e vonuar” shkruan: NATO-ja nuk lipset qortuar për ndërhyrjet në Jugosllavi, por për faktin që këtë ndërhyrje duhej ta kishte bërë këtu e dhjetë vjet të shkuara.

Pranvera e vitit 1999 erdhi në Prishtinë jo vetëm pse u vadit me gjakun e heronjve kosovarë, erdhi, jo vetëm për shkak të potencës ushtarake të NATO-s. Ato nuk do të mjaftonin. Koalicioni fitimtar do të ishte i paplotë. Liria lulëzoi në Prishtinë sepse në shërbim të saj, në mbrojtje të vlerave, mblodhi edhe shërbëtorët më të spikatur të paqes. Liria erdhi në Kosovë, jo vetëm për shkak të trimërisë. Trimëria lëvduar qoftë. Kosovës kurrë nuk i kanë munguar trimat, përherë ka lindur Boletinë, Galic, Jashar dhe, nuk kish fituar. Koha solli Presidentin Rugova. Kosova lindi misionarin që udhërrëfeu përmes urtisë dhe durimit. Kosova lindi misionarin që përmes Gandizmit sensibilizoi, zgjoj e thirri në veprim të ngjashmit e vet, ithtarët e paqes. Duke i shërbyer paqes Rugova përmbushi misionin e tij për liri të Kosovës.

Nobelisti i paqes Elie Wiesel, një i mbijetuar i holokaustit, një i burgosur në Aushvic, aktivisht u reshtua, në rresht të parë, kundër dhunës, kundër deportimit, kundër pastrimit etnik. Kontribuoi me shkrime dhe me media, kontribuoi me takime, në zyra të larta dhe nëpër çadrat e refugjatëve kosovar, në Shqipëri e në Maqedoni. Në artikullin e tij “Letër një miku kosovar” ai deklaron se “..kam mbetur gjithmonë i juaji..” dhe këshillon kthjelltësi, mbrojtje të vlerave dhe ndërtim të së nesërmes vetëm përmes drejtësisë. Një tjetër shërbëtor i madh i paqes, Martti Ahtisaari, në vitin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 2008, u nderua me Nobelin e paqes. Një vit më parë, më 2 shkurt 2007 ai depozitoi Propozimin Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”Depozitoi paketën Ahtisaari, me Po-të dhe JO- të e mëdha përfshirë. Martti Ahtisaari e meritoi Nobelin edhe për trasenë e shtruar për rrugëtim të Kosovës, trase së cilës i jemi larguar keq.

Historia ka përcjellë paradigmën se luftërat, pavarësisht kush fiton e kush humb, finalizohen me vija të reja mbi hartë, finalizohen me ndryshim kufiri. Përfundimi i luftës zakonisht e ka pasur një datë. Në ndryshim nga modelet e së shkuarës, pikërisht për shkak të arsyes ndryshe të kësaj lufte, nuk do të mund të shënohet vetëm një datë për përfundimin e luftës në Kosovë. As me vija të reja, mbi hartë, nuk do të mund të shënojmë përfundimin. 12 Qershori, hyrja në Kosovë e NATO-s, hyrja në qytete e UÇK-së është një datë e shënuar. Atë ditë përfundoi më i rëndi kalvar i shumicës, por nuk shënon fundin e luftës. Një datë, nëse e vetme, nuk ecën paralel me përsenë e kësaj lufte. Që të bashkudhëtojmë me ‘Vlerat’ lipsen që në Kosovë të përfundojë kalvari për secilin qytetar të saj. Fitorja e paqes në Kosovë, nuk mund të vijë ndryshe, veçse si vazhdim i luftës se filluar për ‘Vlera’.

Deklarimi se: Lufta në Kosove nuk u bazua mbi ndonjë ambicie për territore, por mbi vlera, do të mund të lexohet se është Njeriu i pari. Do të mund të përkthehej: PO- luftës për të drejtat e njeriut; PO – luftës për mirëqenien e tij; JO – ndarje territoriale e Kosovës; JO – shkëmbim të territoreve me Serbinë; JO – bashkim i Kosovës me treva të tjera shqiptare. (përkatësisht Pika 1.8. e Planit Ahtisari). Cilado lëvizje kufiri passjell lëvizje të padëshiruar të popullatave. Cilido ndryshim kufiri passjell dëbim apo braktisje të vatrave, nga qytetar serb apo shqiptarë. Kjo është dhimbje. Kjo është antivlerë. I lindur dhe rritur nga prindër të shpërngulur nga Çamëria e njoh këtë dhimbje. Aty shoh time më. Më kujton tim atë. Edhe pesëdhjetë vjet pas shpërnguljes nga Çamëria, me vështrim të perënduar drejt jugut, baba i niste krahasimet me: “Në vëndin tënë…” dhe vazhdonte rrëfimin.

Në demokraci asnjë udhëheqës nuk e ka tagrin të nxjerrë të zonë nga shtëpia dhe t’i ngarkojë plaçkat mbi shpinë. Kurrkush nuk e ka tagrin ta zhurisë njeriun me mall për vatrën e vet.

Kambanat për opsione territoriale, në thelb nuk lidhen me Kosovën, synojnë Shqipërinë. Cilado lëvizje kufiri passjell ngjitje të pjesës së mbetur me Shqipërinë. Ato kambana tingëllojnë nën refrenin t’i shtojmë diçka Shqipërisë dhe të mbledhim mendjen prej saj, përgjithmonë. Ndjellin një “Shqipëri të ndërmjetme”, as të vogël as të madhe. Jo më kot u bien ata kambanave.

Edhe në një luftë për Vlera, padyshim, që janë synuar dhe përmbushur edhe interesa. Edhe kur luftohet në mbrojtje të vlerave, interesat janë aty, por nuk janë arsyeja bazë. Nuk janë përseja e luftës. Pranvera e vitit 1999 tregoj se fatet e shqiptarëve dhe interesat e tyre janë të përbashkët. Lufta për lirinë e Kosovës mblodhi bashkë nën të njëjtën çati pejanë e durrsakë, drenicarë e vlonjatë, çam e kosovarë. Paqja dhe stabiliteti në Kosovë, shtetndërtimi i saj përbën interes të përbashkët kombëtar.

Ndërtimi i Kosovës përbën interes për ne shqiptarët, por jo vetëm për ne. Ndërtimi i demokracisë në Kosovë përbën interes për NATO dhe për BE, për Shtetet e Bashkuara dhe për Gjermaninë, Francën, Suedinë etj. Shtendërtimi i Kosovës përbën interes të posaçëm për vendet mike, për Turqinë apo për Kroacinë. Paqja dhe stabiliteti në Kosovë përbën interes për të gjithë aktorët e luftës dhe të paqes por, interesat e secilit nuk janë njësoj. Qëndrojnë në shkallare të ndryshme.

Michael G. Roskin, Profesor Emeritus në Shkenca Politike, pak para luftës, në esenë “National Interest: From Abstraction to Strategy” jep shpjegimin e tij për interesat, llojet dhe shkallaren e tyre. Për ilustrim gjen pikërisht raportin Shqipëri – SHBA. Gjen pikërisht Kosovën.

Dy vende- thotë Roskin– bile aleate, rrallë kanë interesa kombëtarë identikë. Më e mira që mund të shpresohet është që interesat e tyre të jenë komplementarë. Shtetet e Bashkuara dhe për shembull, Shqipëria mund të kenë interes të përbashkët në raport me `pastrimin etnik´ serb, por interesi amerikan është i përgjithshëm, i përkohshëm dhe sekondar dhe lidhet me stabilitetin dhe të drejtat e njeriut. Interesi shqiptar –vazhdon Roskin– është specifik, i përhershëm dhe ka të ngjarë vital….. Interesat tanë – vijon më tej ai – mund të ecin paralelisht për një kohë por nuk duhet kurrë të ngatërrojmë interesat shqiptarë për ata amerikanë.”

Këto realitete ekzistojnë. Ne mundemi dhe bëjmë mirë t’i shërbejmë ecjes së tyre paralel. Nëse përdorim gjuhën e Roskin më e mira që mund të shpresohet është që interesat tanë të jenë komplementarëËshtë vitale për ne, shqiptarët, të gjendemi përkrah SHBA, prandaj interesi ynë duhet orientuar kah stabiliteti dhe kah të drejtat e njeriut, aty ku ata kanë interesin e tyre.

Paqja, stabiliteti, shtetndërtimi i Kosovës është interes vital, i përhershëm, strategjik i shqiptarëve, pikërisht për këtë arsye është edhe letër-lakmuesi më i mirë për të dalluar miqtë nga jo miqtë. Qëndrimi ndaj Kosovës është treguesi për reflektim. Janë miq tanët, të provuar, popujt dhe shtetet që mundësuan lirinë e Kosovës, popujt dhe shtetet që njohën pavarësinë e saj, dhe sot ndihmojnë e promovojnë shtetndërtimin. Vendet e tjera grupohen në tjera bashkësi. Është mosmirënjohje ndaj miqve të mirë kur i nderojmë në të njëjtin rang me ato vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Është interesi vital, interesi strategjik i një vendi, guri i peshores që ndan vendet në partner strategjik, në partner, në kundërshtar apo edhe në armiq.

Në vitin 2002, Presidenti Thaçi shkruante: Ne nuk pretendojmë ta shqiptarizojmë e as ta serbizojmë Kosovën…… Në Kosovën e pavarur do të ngadhënjejë koncepti i demokracisë qytetare. Do të ndodhë westernizmi qytetar e politik. At’herë flitej për vlera e demokraci tashti flitet për territore e korrigjim territoreshËshtë ecur larg! Në veprën e tij të arrirë Ngritja e një shteti”, prof. Enver Hoxhaj, ish-ministër i Jashtëm dhe tani Zv.kryeministër i Kosovës pretendon se “Kosova është shembull tipik i asaj çfarë quhet Moralpolitikë”. E tillë duhet të vazhdojë.

Këtë vit përkujtohet vetëm njëra prej ditëve të shënuara për liri. Beteja për Kosovën vazhdon.. Nuk u mbyll më 12 qershor të vitit 1999, nuk u mbyll as më 17 shkurt 2008, me deklarimin e pavarësisë së saj. Beteja vazhdon, që të fitohet duhet orientuar në rrafshin e vlerave dhe jo të territoreve. Duhen mbrojtur vlerat, duhet luftuar pastrimi etnik, si atëherë, si në pranverën e vitit 1999.

Lufta për Kosovën, nuk është mbyllur dhe shqiptarët nuk e fitojnë dot të vetëm atë. Fitorja nuk vjen me deklarata patriotike kundraproduktive, nga ato që na e bëjnë jo vetëm gjoksin gropë. Bëjmë mirë që ndërtojmë dhe t’i shëndoshim Forcat tona të Armatosura, por nuk mjafton. Jemi rreshtuar në koalicionin më të fortë ushtarak, jemi me fat. Matematikisht është Kusht i Nevojshëm por jo edhe i Mjaftueshëm. Që kalvari të pushojë në Kosovë, që krahas 12 qershorit dhe 17 shkurtit Kosova të shënoj datën tjetër të lirisë, duhet liri për secilin qytetar të saj. Për qytetarin kosovar duhet siguruar jo vetëm lëvizje e lirë. Para së gjithash qytetarit kosovar i duhet siguruar liri e mundësi qëndrimi në shtëpinë e vet.

Që kalvari të pushojë në Kosovë lipset të mbrojmë vlerat, të qëndrojmë në rrafshin e morales. Lipset të katalizojmë dhe të jemi në krah me koalicionin e punëtorëve të paqes. Lipset të qëndrojmë në fokusin dhe dashamirësinë e mendjeve të lira. Të gjendemi si atëherë, si në pranverën e vitit 1999 dhe moralpolitika të bëhet sërish filli përshkues.

Halil Hyseni – Ish-zv.ministër në Punët e Jashtme