Edukimi për media nuk është luks, është domosdoshmëri

Edukimi për media nuk është luks, është domosdoshmëri

Prej kur fillojmë ditën e deri kur mbarojmë atë, u ekspozohemi qindra e mijëra përmbajtjeve
mediatike.

Disa i marrim pavetëdije, disa me vetëdije, disa i shohim me skepticizëm e disa të
tjera i marrim të mirëqena. E për t’u mbrojtur nga këto përmbajtje, nga propaganda dhe
kornizimi që bëjnë mediet, edukimi për mënyrën e përdorimit të tyre nga ana të rinjve është
jetik.
Shpeshherë shohim raste kur njerëzit bien pre e lajmeve të rreme. Fatkeqësisht, përjashtim
nuk bënë as elita politike e vendit. Rasti i fundit i tillë ishte ai i kryeministrit të Kosovës,
Ramush Haradinajt. Ai përmes një postimi, ia kishte dëshiruar gjithë të mirat presidentit
aktual të Ukraniës Petro Poroshenko, dhe siç e ka quajtur ai kryeministrit të ardhshëm të
Ukrainës, Vovan Lexusov e që është emër i shpikur prej dy komedianëve nga Moska.
Ndonëse, këtë postim ai e kishte fshirë nga rrjeti social Twitter, gazetari i The Guardianit
Shaun Walker, e kishte vërejtur dhe ka pyetur me habi se si ende politikanët po bien pre e
shakave të humoristëve.
Që të mos përfundojmë si i pari i Qeverisë, duhet që të mësojmë t’i dallojmë lajmet e rreme
nga ato të vërteta. E këtë vetëdijesim nuk mund t’a bëjë askush më mirë se sa lënda e
Edukimit për media.
Shoqëria kosovare nuk është imune ndaj problemeve me të cilat përballen shoqëritë e sotme
demokratike, rrjedhimisht, nevoja për edukim për media, edhe te ne është një
domosdoshmëri. Institucionet tona duhet të ndjekin shembuj nga rajoni apo nga shtetet e
zhvilluara të BE-së dhe të mos humb kohë duke e mbajtur jashtë planprogrameve mësimore,
lëndën Edukimi për media.

Nëse mediet nuk përdoren për të mirë shkaktojnë më shumë dëme se dobi

Media është mjaft e dobishme, por si gjithçka tjetër që ka dy anët e medaljes, edhe media
mund të ketë ndikim negativ, përmes keqinformimit, propagandës apo përhapjes së dhunës,
urrejtjes ndërnjerëzore.

Nëse mediet nuk përdoren si duhet, rrezikojnë të shkaktojnë më shumë dëme se sa dobi. E ata
që e pësojnë më së shumti janë fëmijët dhe të rinjtë, sepse janë pikërisht këta që pjesën më ta
madhe të kohës e kalojnë në mediet e reja, të cilat gjithsesi ndikojnë në formimin e tyre.
Një 21 vjeçar, në vitin 2011, vrau në aeroportin e Frankfurtit dy ushtarë amerikanë, të cilët do
të udhëtonin për në Afganistan. Pas këtij krimi, ai kishte thënë se për ta bërë një veprim të
tillë ishte nxitur nga një video në internet, ku disa ushtarë amerikanë gjatë plaçkitjes së një
shtëpie në Afganistan përdhunonin një vajzë.
Studiuesit e medies, thonë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj dhunës në medie mund të ngjallë
frikë te njerëzit duke i bërë të besojnë se dhuna është e kudondodhur. Këtë dukuri, Geroge
Gerbner, e quan “Sindroma e Botës së Ligë”.
Raste të tilla, ku të rinjtë dhe fëmijët inspirohen nga përmbajtjet mediatike janë të shpeshta.
Në vitin 2017 ishte bërë virale loja elektronike “Balena blu” e krijuar në Rusi, e cila
mendohet se u ka marrë jetën të paktën 130 fëmijëve nga mosha 9-17 vjeç. E në trojet
shqiptare kjo lojë u bë e njohur nga rasti i një të miture nga Gjirokastra. Përmes saj, fëmijët e
kontaktuar nga një person anonim bëheshin pjesë e lojës dhe ishin të obliguar të përfundonin
50 nivele saj, ku për të fituar, çdo ditë duheshin t’i shkaktonin vetës një dëmtim fizik. Njëra
nga sfidat e kësaj loje ishte që lojtarët t’a gërvishnin dorën duke formuar balenën në të.
E lëndime të tilla fëmijët nuk i bënin vetëm për lojërat elektronike. Ata gjakosnin duart e tyre
duke u përpjekur të tregonin se sa shumë e adhuronin ndonjë këngëtar, kështu duke i postuar
fotografitë në rrjetet sociale për t’u treguar të tjerëve admirimin që ndjenin për të.
Kjo lëndë do të vetëdijesonte të rinjtë dhe do të iu krijonte gjykimin kritik ndaj përmbajtjeve
mediale, çfarëdo qofshin ato.
Me avancimin e teknologjisë duket se jeta reale është zhvendosur në atë virtuale. Facebook,
Snapchat, Instagram, Twitter e rrjetet tjera sociale janë bërë burimet kryesore të informimit,
vendet ku kalohet koha e lirë e mënyrat për komunikim mes njerëzve. Në rast se këto nuk
përdoren si duhet, atëherë pasojat do i vuajmë tërë jetën.

Ministër, nxito sa s’u bë vonë

Në vitin 2013 Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK) vlerësoi se futja e një lënde për njohjen
e mediave në shkolla fillore dhe të mesme është e domosdoshme. Tri vjet më vonë, në
kurrikulat e arsimit parauniversitar të vitit shkollor 2016/17 në Kosovë, Ministria e Arsimit,
Shkencës dhe Teknologjisë planifikoi futjen e lëndës “Edukim Medial” si lëndë zgjedhore.
MASHT-ti pati marrë vendim se lënda Edukimi për media do të përfshihet në Kornizën e
Kurrikulës së arsimit parauniversitar të Kosovës, si çështje ndërkurrikulare për të gjitha
fushat kurrikulare.
Mirëpo, kjo lëndë duhet të bëhet obligative, sepse përdorimi i mediave nis që nga
parashkollorët e deri te moshat e shtyera.
Për t’u informuar saktë në këtë vrull informacionesh të kohës së sotme, nevojitet një edukim
për media. Sepse, një edukim për mënyrën e përdorimit të tyre do na shpëtonte nga të qenurit
analfabet funksional. Andaj, ministër nëse dëshiron që ne t’i përdorim ato, e jo ato neve,
atëherë nxito sa s’është bërë vonë.
Përderisa jetojmë në epokën e informacionit dhe roli i medies sa po shkon e po bëhet më i
pandalshëm, futja e lëndës së edukimit për media nëpër shkolla nuk është më një luks, apo
interes i një grupi të caktuar shoqëror, por është një domosdoshmëri.

Shkruan: Kaltrina Jashari, apsolvente e Departamentit të Gazetarisë, UP.