Krimi dhe korrupsioni sërish sfidat e Kosovës në Raportin e Progresit

Krimi dhe korrupsioni sërish sfidat e Kosovës në Raportin e Progresit

Komisioni Evropian ka publikuar raportin për Kosovën, që ndryshe njihet edhe si Raporti i Progresit. Raporte të tilla, Komisioni Evropian ka publikuar edhe për vendet e tjera të rajonit, që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Raporti përmban pasqyrën dhe shënimet kryesore në lidhje me përparimet që ka shënuar Kosova gjatë periudhës një vjeçare, ku theksohen edhe ngecjet dhe sfidat.

Komisionari për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk ka kohë të humb. Në veçanti, Hahn është ndalur te çështja e sundimit të ligjit.

“Këtu kemi nevojë edhe për vullnetin politik për rastet e caktuara”, ka thënë Hahn.

Në shumë vende, ka vijuar ai, më tepër sesa kualiteti i policisë nënkupton aftësia dhe vullneti për t’i bartur rastet nga hetimet, pretendimet, dyshimet deri te seancat gjyqësore dhe vendimet.

“Jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet tjera është me rëndësi që njerëzit të shohin që korrupsioni nuk shpaguhet, por është e kundërta që çon në ndëshkime dhe është diçka që nuk qëndron”, ka theksuar Hahn.

Komisioni Evropian harton raporte të tilla për vendet që aspirojnë integrimet evropiane. Përmbushja e kritereve evropiane është kusht i domosdoshëm në proceset integruese të këtyre vendeve, ku bën pjesë edhe Kosova.

Këtë vit, Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, para së gjithash janë kërkuar reforma në drejtësi.

Komisioni Evropian i ka kërkuar Shqipërisë reformat, si dhe nxjerrjen dhe zbatimin e ligji për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur si Veiting.

Në rastin e Serbisë, Hahn ka kërkuar më shumë progres në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Po ashtu, Serbisë i është kërkuar të fokusohet në dialogun me Prishtinën dhe çështje tjera që ndërlidhen me bashkëpunimin rajonal, duke shmangur politikat nacionaliste të këtij vendi.

“Si nga pala serbe, ashtu edhe ana kosovare, duhet të zbatohen çështje delikate të marrëveshjeve, siç është Asociacioni i komunave serbe”, ka theksuar Hahn.

Hapja e kapitujve të ri për Serbinë, sipas tij, mund të pritet vetëm vitin tjetër.

Johannes Hahn u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të thellojnë bashkëpunimin, në mënyrë që të lehtësojnë edhe rrugën e tyre integruese në Bashkimin Evropian. Ai ka përsëritur se Ballkani Perëndimor ka perspektivë të qartë evropiane, por ka rikujtuar që ky rajon duhet të kalojë fillimisht përmes procesit të reformave në secilin shtet veç e veç. (REL)