Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, ka folur për publikimin e Raportit të Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian gjatë një vizite në Kosovë.
Ka dhënë mesazh për demarkacionin me Malin e Zi, ratifikimi i të cilit në Kuvendin e Kosovës sipas saj, s’garanton vizat, por mosratifikimi sigurt i humb ato.
“Nënshkrimi i marrëveshjes së demarkacionit nuk do të thotë 100 për qind se do të liberalizohen vizat, por nëse marrëveshja nuk ratifikohet do të thotë 100 për qind se ato nuk do të liberalizohen”, ka thënë Lunacek, teksa ka shtuar se Kosova duhet bërë shumë punë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ka folur edhe për zgjedhjet në shtetet e BE-së, derisa ka thënë se zgjedhja e Donald Trumpit president i SHBA-ve gjithashtu nuk është lajm i mirë për Kosovën.
“Mesazhi im është se duhet lëvizur drejt plotësimit të kushteve. Ju lutëm bëni çfarë duhet të bëni për të kryer këtë proces, për të përmbushur zotimet që keni dhënë, dhe në marrëveshjet që keni nënshkruar”, ka thënë Lunacek.
Sipas saj, BE-ja nuk do që të përsëritet problemi si i Kroacisë dhe Sllovenisë për vijën kufitare.