Vizita e parë në paraburgim e Astrit Deharit është e vetmja ku atë e vizituan vetëm familjarët, pa praninë e zyrtarëve të Vetëvendosjes. Në këtë vizitë, ishin prindërit dhe gruaja, si dhe dy nipërit e të ndjerit. Kjo ishte vizita e vetme të cilën gjykatësi Kashtanjeva Deharin e cilësonte si “të akuzuar”, ndërsa në lejet tjera i referohej si “i pandehuri”.
Në bazë të lejeve të lëshuara nga gjyqtari Vehbi Kashtanjeva, në gjashtë nga shtatë vizitat që Astrit Deharit iu bënë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren familjarët u shoqëruan nga zyrtarë të “Vetëvendosjes”.
Aktivisti tash i ndjerë i Lëvizjes “Vetëvendosje” Astrit Dehari gjatë 68 ditëve në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ka pasur gjithsej 7 vizita.
Në të gjitha vizitat të pranishëm ishin prindërit dhe gruaja e tij, e në gjashtë prej tyre familjarët shoqëroheshin nga zyrtarë të “Vetëvendosjes”.
Për shtatë javë, çdo të enjte, të ndjerit Dehari i kanë shkuar në vizitë familjarë, të shoqëruar nga aktivist të subjektit që ai i takonte dhe secila vizitë ka zgjatur 60 minuta.
KALLXO.com ka siguruar të gjitha lejet e lëshuara për vizitë Deharit nga gjyqtari i procedurës paraprake Vehbi Kashtanjeva, në të cilat shihet se u është lejuar vizita përveç familjarëve edhe aktivistëve të VV-së.
Vizita e fundit kishte ndodhur dy ditë para se Dehari të vdiste në rrethana të pasqaruara. Atë sipas dokumentacionit të siguruar e kishin vizituar prindërit Avni e Xhemile Dehari, gruaja Arta Boshtraj dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, Sami Kurteshi.
Kjo vizitë, referuar lejes së lëshuar nga gjyqtari Kashtanjeva, është bërë më 3 nëntor dhe ka zgjatur një orë.
Në vizitën e parafundit-atë të datës 27 tetor, veç tre familjarëve të lartpërmendur (prindërve dhe gruas), sipas lejes së lëshuar nga gjyqtari Kashtanjeva, i pranishëm ka qenë edhe sekretari organizativ i “Vetëvendosjes” Dardan Molliqaj.
Dje gjyqtari Kashtanjeva mohoi se u dha leje zyrtarëve të “Vetëvendosjes” ta vizitojnë Deharin në burg, por sot zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Mirlinda Gashi tha se ky gjyqtar mund të ketë lëshuar leje edhe për vizitat e Kurteshit dhe Molliqajt, por mund të mos i kujtohet kjo gjë pasi lëshon shumë leje për vizita te të paraburgosurit.
Sot në një konferencë për medie sekretari organizativ i “Vetëvendosjes” Dardan Molliqaj tha se ai dhe Kurteshi vizituan Deharin në burg.
Molliqaj në konferencë shpjegoi procedurat e ndjekura gjatë vizitave të tilla.
“Procedurat janë kështu: kërkesë bën familja për personat të cilët duan ta vizitojnë dikë, në këtë rast të ndjerin,” shpjegoi Molliqaj.
KALLXO.com ka kërkuar nga Zyra për Informim e VV-së emrat e aktivistëve që e kanë vizituar Deharin, por nuk ka marrë përgjigje prej saj.
Më 20 tetor, sipas lejes së gjyqtarit të siguruar nga KALLXO.com, Astrit Deharin në burg e kishte vizituar Brym Maximilian. I njohur si Brym Max, një profesor i filozofisë që ka ligjëruar disa herë edhe në VV e Lëvizjen Studentore SKV. Brym në letrën e shkruar pas vdekjes së Deharit, kishte thënë se e njeh atë që nga viti 2008 dhe se shpesh i ndjeri kishte përkthyer shkrimet e tij nga gjermanishtja në shqip.
Raporti final i autopsisë pritet të publikohet së shpejti e hetimet për rastin është duke i vazhduar prokuroria.
Sot “Vetëvendosje” kërkoi ndërprerjen e hetimeve nga grupi aktual hetues.
Në vizitën e katërt të 13 tetorit, gjykatësi u dha leje ta vizitojnë Deharin prindërit Xhemilja e Avniu, bashkëshortja Arta dhe Hekuran Myrtaj.
Myrtaj konfirmoi për KALLXO.com se është anëtar i “Vetëvendosjes”.
“Po jam edhe anëtar i ‘Vetëvendosjes’,” tha ai.
Një javë para kësaj, gjithnjë sipas lejeve të gjyqtarit në kombinimin e njëjtë të familjes, Deharit i kishte shkuar në vizitë edhe koordinatori i Qendrës së Lëvizjes “Vetëvendosje” në Ferizaj, Emrush Xhemajli. Xhemajli ishte kandidat i VV-së për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e fundit.
Sipas lejes, në fund të shtatorit Deharin e kishte vizituar aktivisti tjetër i “Vetëvendosjes” Egzon Balaj. Në këtë takim ishin edhe familjarët e të ndjerit, prindërit dhe gruaja.
Vizita e parë në paraburgim e Astrit Deharit është e vetmja ku atë e vizituan vetëm familjarët, pa praninë e zyrtarëve të Vetëvendosjes. Në këtë vizitë, ishin prindërit dhe gruaja, si dhe dy nipërit e të ndjerit. Kjo ishte vizita e vetme të cilën gjykatësi Kashtanjeva Deharin e cilësonte si “të akuzuar”, ndërsa në lejet tjera i referohej si “i pandehuri”.
Astrit Dehari dhe pesë aktivistë të “Vetëvendosjes” u arrestuan më 30 gusht nën dyshimin për sulm me raketahedhës ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Ai dhe dy aktivistë të tjerë Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti ndodheshin në paraburgim, ndërsa tre të tjerët nën masën e arrestit shtëpiak.
Dehari vdiq më 5 nëntor në rrethana të pasqaruara deri më tani. Autopsia e trupit të të ndjerit u bë të hënën, ku veç ekspertëve të institutit të mjekësisë ligjore, prezentë ishin edhe ekspertë të caktuar nga familja./Kallxo.com