Gjithçka e bllokuar, Shqipëria është lëmsh

Analizë nga "The Economist"

Gjithçka e bllokuar, Shqipëria është lëmsh

Fenerë kinezë të pikturuar me fjalët ‘Ik’ ngjiten në qiellin e mbrëmjes. Duke tundur flamuj të kuq shqiptarë, me shqiponjën dykrenare në mes, si dhe flamujt e BE dhe të SHBA, turma këndon: Rama ik! Rama ik! Që prej shkurtit, në një seri protestash masive, opozita ka kërkuar që Edi Rama, kryeministri, duhet- me një fjalë- të ikë. Gjatë këtyre demonstrimeve të ashpra, janë hedhur rregullisht fishekzjarre dhe bomba me bojë drejt zyrës së tij. Lulzim Basha, lider i Partisë Demokratike në opozitë, që po drejton protestat, u thotë mbështetësve të tij: “Nuk do e lë këtë vend që të rrëshqasë në despotizëm lindor”. Por teksa kaosi në parlament dhe rrugë vazhdon, shanset e Shqipërisë për të përqafuar BE-në, po pakësohen.

Një vit më parë, BE parashtroi disa kushte përpara se të nisnin negociatat për t’u bashkuar me klubin. Më 29 maj, një raport i Komisionit Europian rekomandoi nisjen e tyre. Por më 18 qershor, disa vende të BE-së shkelën frenat. Ishte një goditje e hidhur, edhe pse qeveria shqiptare e priste. Rama insiston se përpjekjet e vendit të tij për t’u bashkuar me BE-në do të vazhdojnë dhe fajëson qeveritë se kënaqën interesat e partive populiste. Maqedonia e Veriut, e cila ka bërë progres më të mirë drejt përmbushjes së kërkesave të BE, po ashtu u refuzua.

Por politika e saj kaotike nënkupton se Shqipëria duket gjithmonë e më pak e kualifikuar për t’u bashkuar me klubin. Më 30 qershor do të mbahen zgjedhjet për kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë. Zoti Rama thotë se ata do të shkojnë përpara, edhe pse presidenti Ilir Meta thotë se i ka anuluar për shkak të situatës. Kolegji Zgjedhor mbështet qeverinë, por zoti Basha thotë se zgjedhjet janë të paligjshme dhe do i bojkotojnë. Basha pretendonte se do fitonte miratimin ndërkombëtar për protestat dhe bojkotin e parlamentit, por nuk arriti ta marrë atë. Sulmet e mbështetësve të tij ndaj vendeve ku do mbahen zgjedhjet janë pritur me kritika nga qeveritë e huaja.

Nëse zgjedhjet do mbahen, partia e zotit Basha do të humbasë vendet e punës dhe patronazhin që i jep qeverisja lokale. Në të njëjtën kohë, parlamenti, në të cilin Partia Socialiste e Edi Ramës ka një shumicë të ngushtë, ka nisur lëvizjet për të shkarkuar presidentin Meta. Ligji, thotë Erion Veliaj, kryebashkiaku socialist i Tiranës, është shumë i qartë. “Nëse tenton të pengosh njerëzit që të votojnë, shkon në burg”.

Basha po përpiqet që të tregojë se zoti Rama është ndihmuar nga bosët e krimit të organizuar për të fituar zgjedhjet e fundit të përgjithshme në vitin 2017. Rama e mohon këtë dhe thotë se do të padisë gazetarin, që ka bërë këto akuza në një gazetë gjermane. Më 17 qershor, zoti Basha ishte thirrur për t’iu përgjigjur akuzave për financim të paligjshëm të partisë. Basha thotë se akuzat janë false.

Në vitin 1997, pati një kolaps total të rendit dhe ligjit në Shqipëri, kur qytetarët morën tanket dhe detyruan ish-presidentin, Sali Berisha, mentorin e zotit Basha, për të dhënë dorëheqje. Demokracia ka mjaft terren për të mos e lejuar diçka të tillë të ndodhë sërish: megjithatë, politika në Shqipëri është një biznes i ndyrë. Partitë kryesore janë të lidhura me klane me lidhje të dyshimta. Zoti Basha pretendon se armiqtë e shefave të krimit të organizuar, në aleancë me socialistët, i kanë bërë atij propozime, të cilat i ka hedhur poshtë. “Nuk është një bashkëpunim mes qeverisë dhe krimit të organizuar, është një shkrirje mes tyre,” thotë ai. Por zoti Rama thotë se nëse të tilla akuza janë të vërteta, Komisioni Europian nuk do të kishte rekomanduar nisjen e bisedimeve të pranimit me BE-në, edhe pse liderët e BE-së vendosën t’i shtyjnë ato.

Megjithatë, sado kaotike të jetë situata aktuale, të paktën gjykatat e Shqipërisë, nën drejtimin e Komisionit Europian, po pastrohen pak. Gjyqtarët dhe prokurorët po i nënshtrohen vetingut për pasurinë e pashpjegueshme, lidhjet me krimin e organizuar dhe aftësitë e përgjithshme. Nga 140 të shqyrtuar deri më tani, vetëm 53 kanë dalë plotësisht të pastër.