Një 23-vjeçare nga Ferizaj punon si automekanike me babanë e saj që shtatë vjet. Gjatë gjithë punës asaj i është thënë se kjo punë është për meshkuj. Pasdite ajo punon edhe si banakiere.
“I rregulloj kerret. Më herët i kam ndihmuar babait me çelësa derisa e kam marrë besimin në vete për të bërë unë diçka”, fillon tregimin e saj Dorentina Qerimi, raporton rel.
“Klientët më herët nuk më kanë besuar hiç, nuk janë ndjerë rehat me mua. Por, me kalimin e kohës tash veç mua më kërkojnë”, tregoi Qerimi.
Dorentina Qerimi bën rregullimin e veturave në punishten e babait të saj në Ferizaj. Këtë punë ajo e bën qe shtatë vjet. Ajo thotë se ka marrë komente të shumta se ky profesion është vetëm për meshkuj.
“Ky profesion është për meshkuj, edhe për femra po. Dikush që e përballon… unë për vete shumë mirë ndihme me këtë profesion”, tha 23-vjeçarja.
“Shumë raste ka pasuar kur klientët vetë më kanë thënë se ty nuk ta lëmë veturën në dorë sepse ti e prish. U kam thënë në rregull… kur të vijë babai ta rregullon, por unë e kam marrë dhe e kam rregulluar. Pastaj ata kanë ardhur dhe u kam thënë se babai e ka rregulluar dhe mund të shkoni”, sqaroi Qerimi.
“Nuk e di, habitem pse nuk më besojnë, e unë vetë i rregulloj. Por, tash po më duket se mirë do të bëhet”, shtoi ajo.
Paragjykimet ndaj saj kanë filluar qëkur ishte në shkollë të mesme.
“Kam qenë edhe në shkollën teknike, drejtimin automekanik dhe për fat të keq, nuk e kam vazhduar më shumë sepse së pari nga profesorët kam pasur jo fjalë të mira dhe kam qenë e detyruar të dalë, ta ndërpresë krejt. Edhe nxënësit, drejtoria më thoshin se nuk është profesion për ty”, tha gruaja e parë mjeshtre e veturave.
“Unë u thosha se e bëj praktikën me babanë. Ata më thoshin: jo, nuk mund ta përballosh ti. E sot, shoqëria kur më sheh duke rregulluar vetura, habiten. Ata nuk kanë arritur asgjë”, ka thënë 23-vjeçarja.
Ëndrra e Dorentinës është që ajo ta ketë në pronësi një punëtori të saj. Pasi mbaron punën në garazh, ajo pasdite punon në një restorant në Ferizaj si banakiere.
Përveç për kafe, kolegët e saj shpesh i bëjnë pyetje për rregullimin e veturave.