Maratona 3 vjeçare e deklaratave të Edita Tahirit për kodin telefonik

Ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka njoftuar të dielën në mbrëmje se Kosova ka marrë kodin e ri telefonik , + 383. Por historia e deklarimeve të tilla, po kaq të sigurta është e gjatë.

Maratona 3 vjeçare e deklaratave të Edita Tahirit për kodin telefonik

Edita Tahiri ishte e bindur, qysh para tri viteve, se Kosova ishte bërë me kod telefonik.

Gjithçka kishte filluar në shtator të vitit 2013, kur Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshjen për kodin telefonik.

“Kosova e ka kodin e saj telefonik, tash mbetet vetëm aplikimi për të, gjë që do të ndodhë shumë shpejt”, kishte thënë Tahiri për televizionin publik, ditën kur ishte arritur marrëveshja.

Të nesërmen Serbia e kishte demantuar Tahirin. Njëjtë kishte bërë edhe Brukseli, duke sqaruar se është arritur vetëm një marrëveshje në parim për kodi telefonik të Kosovës, por që mbetet punë për t’u bërë.

Ajo marrëveshje parashihte që Kosova të marrë kodin ndërkombëtar +383 ose +384, kurse Serbia të fitojë licencimin e një operatori serb të telefonisë mobile në Kosovë.

Kjo çështje ishte lënë në harresë nga Tahiri, e cila atë kohë ishte zëvendëskryeministre në largim, për më shumë se një vit më pas, ajo ishte rikthyer përsëri në skenë me kodin telefonik.

edita2013

Në tetor të vitit 2014, raporton Insajderi, Tahiri kishte thënë se për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, përveç marrëveshjes së nënshkruar, palët e përfshira në bisedime duhet të nënshkruajnë edhe një plan të zbatimit, plan ky i cili mbetet ende i papërfunduar.

Ndërkaq, pa nënshkrimin e këtij plani, Tahiri thoshte se nuk mund të ndodh as aplikimi zyrtar në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit(ITU).

“Kërkesën për aplikim në këtë Union do të bëjë shteti i Austrisë, shtet ky që është paraqitur vullnetarisht për t’i ndihmuar Kosovës në këtë proces, thotë Tahiri.

As kjo nuk kishte ndodhur, raporton Insajderi.

Megjithatë Tahiri që me krijimin e Qeverisë së re, të drejtuar nga Isa Mustafa, ishte emëruar ministre pa rrokoll për bisedime me Serbinë, kishte vazhduar me deklarata duke u treguar e sigurt se “çështja e kodit telefonik është çështje javësh”.

Nuk ishte çështje javësh, por vitesh.

edita2014

Në maj të vitit 2015, Tahiri kishte thënë për Evropën e Lirë se kodi telefonik i Kosovës është çështje e mosrespektimit të kushteve nga ana e Serbisë.

Ky fajësim kishte ndodhur edhe shumë herë gjatë këtij viti, mes lajmeve për një aplikim të mundshëm nga Austria për kodin telefonik të Kosovës dhe pengesave të autoriteteve serbe.

Në maj të këtij viti, Tahiri kishte deklaruar se Austria ka aplikuar prante ITU-së për kodin telefonik.

Kishte thënë se për këtë e ka konfirmimin zyrtar për aplikimin e Austrisë për kodin telefonik për Kosovës e kanë marrë nga Bashkimi Evropian dhe nga Ambasada e Austrisë në Kosovë.

Më pas, në shtator të këtij viti, teksa i reagonte Marko Gjuriqit, shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili kishte thënë se Kosova do ta marrë kodin vetëm për përdorim në kuadër të zonës territoriale të Serbisë, Tahiri kishte thënë se Kosova do të marrë kod shtetëror dhe se vetëm Shqipëria mund të aplikoj në emër të palës kosovare për këtë kod.

As kjo nuk ishte realizuar, raporton Insajderi.

Por, Edita Tahiri, vazhdoi të ishte personazh i medieve përsëri me çështjen e kodit.

edita2015

Me 26 shtator të këtij viti, delegacionet nga Kosova dhe Serbia kanë nisur bisedimet në Bruksel, ku temë kryesore është paralajmëruar të jetë kodi telefonik i Kosovës. Kosova drejtohej nga Tahiri.

Disa ditë më vonë, Tahiri ishte demantuar edhe nga Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit që thoshte se kjo organizatë nuk ishte involvuar për kodin e telefonisë.

“Pra, kjo çështje mbetet mes  Prishtinës dhe Beogradit”, kishte thënë shefi për komunikim me mediat ne selinë e UIT-së ne Gjenevë Dimitry Leger.

Por Tahiri nuk e kishte komentuar këtë gjë.

Një muaj më vonë, ajo ishte paraqitur edhe një herë për të dhënë një lajm të mirë për Kosovën sa i përket kodit telefonik.

Por lajmi vërtetë i mirë dhe përfundimtar ka ardhur tek me 13 nëntor.

tahiri

Përsëri është Edita Tahiri ajo që tha se është arritur marrëveshja për kodin telefonik shtetëror të Kosovës, mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kosova tashmë do ta ketë kodin telefonik shtetëror të saj që është 383 i cili do të alokohet nga ITU, dhe ky është një sukses i madh i dialogut të Brukselit dhe një lajm shumë i mirë për shtetin tonë dhe qytetarët tanë, tha ajo.

“ITU do t’ja alokoj Kosovës kodin telefonik 383 më datën 15 dhjetor 2016. Shteti jonë do ta ketë kodin e vet telefonik sikur edhe shtetet tjera dhe do të ketë sovranitet të plotë për kodin e vet telefonik, ndërsa të gjitha kodet tjera që janë përdorur deri më tash ( 381, 377, 386) do të largohen nga përdorimi”, ka thënë Tahiri.

Por i gjithë ky sukses, duket se ka pasur një ecuri të zakonshme, që bazohet në Marrëveshjen e Brukselit për Telekomin të vitit 2013 dhe Planin Aksional të dakorduar në vitin 2015./Insajderi.com