Kosovarja 23-vjeçare, Laureta Zyba, nga Suhareka, një shtetas serb dhe dy shtetas malazezë u arrestuan vitin e kaluar. Të kërkuar nga INTERPOL-i për vepra të ndryshme penale, u kapën pas dy muajve në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.
Laureta Zyba është valltare e klubeve të natës e cila ishte arrestuar për veprën penale, “bashkëkryrje në veprim”. Para Gjykatës ajo ishte shprehur se ndjehet fajtore që nuk i kishte lajmëruar këta persona tek autoritetet vendore me kohë dhe që ka bashkëpunuar me këta njerëz.
Mirëpo ajo gjatë dëshmisë kishte thënë veç se ishte e dashura e Mario Millosheviqit, dhe se “Mario është njeriu më i mirë që ajo e ka takuar deri tash”. Implikimi i saj i mëtutjeshëm nga prokuroria ishte i zorshëm, edhe pse ajo për shumë muaj ishte shoqëruar me Milloshevqin, kjo pasi që komunikimi mes tyre, sipas rrëfimit të saj, ishte kryesisht përmes aplikacionit “snapchat”.
InDoks në këtë dokumentar do të zbulojë të gjeturat e një hulumtimi të gjatë mbi Mario Millosheviqin, i kërkuar në Mal të Zi për krime shumë të rënda, e i dyshuar si anëtarë i njërës nga dy bandat më të mëdha që operojnë në biznesin e drogës në Kotor. Edhe për njerëzit që e rrethojnë. Edhe për ata që e ndihmuan në një arratisje të dështuar nga burgu i Sigurisë së Lartë në Kosovë.