Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kërkojnë nga qeveria t’ua mbulojë pagat

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kërkojnë nga qeveria t’ua mbulojë pagat

Me pankarta në duar, punëtorët e Lotarisë së Kosovës mbajtën protestën e dytë me radhë përpara Qeverisë së Republikës së Kosovës, me kërkesën që të mbahet premtimi nga institucionet për miratimin e ligjit për Lotarinë e Kosovës

Për anëtarin e kryesisë të Sindikatës së Lotarisë së Kosovës , Ismet Uka, inicimi i Ligjit për Lotarinë e Kosovës është i domosdoshëm dhe duhet të bëhet sa më shpejt. Sipas Ukës Qeveria duhet të marr përsipër mbulimin e pagave të punëtorëve të Lotarisë.

“ Sot kemi dalë në protestën e dytë të punëtorëve të Lotarisë së Kosovës, protestën e parë e kemi pas javën e kaluar, kurse sot është protesta e dytë e përsëritur dhe kërkesat janë të njëjta sikurse në protestën e kaluar. Pika e parë është inicimi sa më i shpejtë i Ligjit për Lotarinë e Kosovës ashtu siç është premtuar nga Kuvendi dhe Qeveria, pastaj pika e dytë është marrja përsipër e Qeverisë të pagave të punëtorëve të Lotarisë, pasi siç dihet Lotaria e Kosovës është Ndërmarrje Publike dhe themelues, aksionar dhe pronar është Qeveria. Kërkesa e tretë është mbulimi i shpenzimeve, të cilat i ka Lotaria e Kosovës ndaj qiradhënësve, lokaleve me qira dhe kontratave ndërkombëtare që i kemi”, tha Uka.

Ndërsa anëtarja tjetër e kësaj Sindikate, Shpresa Gosalci, theksoi se Lotaria e Kosovës me asgjë nuk i ka kontribuuar situatës dhe arsyes që të dërgojë deri në shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit, ndërsa presin që të bëhet Ligji i veçantë për Lotarinë e Kosovës.

Gosalci tha se Lotaria ka rreth 66 punëtorë, ku shumica prej tyre janë mbajtës të familjeve dhe për momentin janë në gjendje të rëndë ekonomike.

“Lotaria e Kosovës është anëtare e Asociacionit të Lotarive Evropiane qysh prej vitit 2013, ndërsa është e certifikuar qysh nga viti 2017 për organizimin e lojërave me përgjegjësi shoqërore. Ka lojëra, të cilat nuk shkaktojnë varësi, nuk lejohet që personat nën moshën 18 vjeçare të luajnë dhe i respekton të gjitha rregullat siç janë të parapara me Asociacionin e Lotarive Evropiane. Duhet të theksohet se Lotaria e Kosovës ka rreth 66 punëtorë, ku shumica prej tyre janë mbajtës të familjeve dhe për momentin janë në gjendje të rëndë ekonomike. Kërkesat e punëtorëve ne I kemi shpreh me anë të shkresave dhe jemi mundu me mbajtë takime, mirëpo përderisa kemi has në vesh të shurdhër edhe deri më sot nuk kemi marrë ndonjë përgjigje konkrete se çka është duke u vepru lidhur me Ligjin e veçantë për Lotarinë e Kosovës”, tha Gosalci.

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë deklaruar se protesta e tyre do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.