Ujërat e zeza derdhen në liqenin e Mitrovicës – komuna deklarohet për rastin

Ujërat e zeza derdhen në liqenin e Mitrovicës – komuna deklarohet për rastin

Në liqenin akumulues të Mitrovicës pos reshjeve të dendura të shiut, janë duke u derdhur edhe ujërat e zeza nga gypat .

Në një video të postuar në rrjetin social të “Mitrovica Press”, shihet një gyp i madh në të cilin rrjedhin ujërat e  zeza drejt e në liqenin akumulues.

Në lidhje me këtë drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike në Komunën e Mitrovicës, Naser Muja për Telegrafin sqaroi se gypi i vendosur në liqenin akumulues shërben për ujëra rrjedhës e jo për ujëra të zeza.

Mirëpo, Muja beson se ujërat e zezë përmes këtij gypi vijnë nga Zubin Potoku apo fshati Çabër, pasi nuk janë të kyçur në kolektorin e ujërave të zeza.

“Jemi të njoftuar dhe ne. Por, besoj që ato ujëra vijnë nga lart Zubin Potoku dhe Çabra pasi nuk janë të kyçura në kolektor… Gypi është për ujëra rrjedhëse. Të gjitha ujërat e zeza janë të kyçura në kolektor”, ka thënë Muja.

Drejtori Muja po ashtu potencoi se do të mundohen që ta zgjidhin këtë problem duke dërguar kolektorët më lart se fshati Çabër.