Vendimit të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, për largimin nga pozitat partiake dhe publike të anëtarëve të partisë që kanë aktakuza të konfirmuara, i është përgjigjur me përçmim Adem Grabovci, protagonisti i “Dosjes së Shefave”.
Grabovci, i cili ka aktakuzë në rastin e “Dosjes së Shefave”, duket se nuk e ka ndërmend të respektojë vendimin e Veselit. Ai ka folur me përçmim kur është pyetur për vendimin e Veselit.
“More çfarë vendimi të Kryetarit të Partisë? Çfarë largimi?”, ka deklaruar Grabovci, në një bisedë me Express.
Raportet e Grabovcit me Kadri Veselin kanë ndryshuar prej se kryetari i PDK-së vendosi t’i përjashtojë nga partia të gjithë ata anëtarë të PDK-së që kanë aktakuza.
Fuqia e tij brenda PDK-së deri në vitin 2016 ishte e madhe. Këtë pushtet e përdorte për të punësuar në pozita shtetërore njerëz të afërm të tij. Kjo u dëshmua në serinë e përgjimeve telefonike “Dosja e Shefave”, të publikuar nga Insajderi në verën e vitit 2016.
Sipas përgjimeve, të cilat përfshinin periudhën dy mujore nga nëntori deri në dhjetor të vitit 2011, Grabovci punësonte qindra njerëz, zgjedhte dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.
Ai punësonte njerëz të vetë në Policinë e Kosovës, zgjedhte prokurorë e gjyqtarë. Mes tyre, Sali Mekajn e bën kryetar të Gjykatës së Apelit, Sylë Hoxhën e bën kryeprokuror të Prizrenit.
Për të gjitha këto veprime të Grabovcit, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj tij dhe dhjetë të tjerëve – shumica prej tyre kolegë të partisë së tij – në vitin 2016. Rasti është ende në gjykim.