KDI: Kosova renditet e treta në barometrin e korrupsionit në botë

KDI: Kosova renditet e treta në barometrin e korrupsionit në botë

Barometri Global i Korrupsionit” i hartuar nga “Transparency International” dhe i prezantuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) konstaton se dy të tretat e personave në Kosovë e renditin korrupsionin si një nga problemet më të mëdha në vend.

Nga ky publikim ku janë anketuar 1 mijë e 500 persona del se qytetaret mendojnë se personat më të korruptuar në Kosovë janë zyrtarët qeveritarë e deputetët me 46 për qind dhe gjyqtarët me 40 për qind.

Artan Canhasi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në konferencën për media tregoi se barometri është hartuar para publikimit të përgjimeve të bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të PDK-së, nga Gazeta online Insajderi. Ai përfshinë periudhën dhjetor 2015-mars 2016.

“Kemi vërejtur që kjo aferë ka ndikuar në masë të madhe në perceptimin e opinionit publik për korrupsionin”, tha ai.

Ndërsa sa i përketë ryshfetit, nga të anketuarit del se vetëm 10 për qind të tyre kanë vlerësuar se kishte ryshfet kur u desh të kryejnë shërbime bazike.

“Nga vendet e rajonit, Kosova ka veçanërisht një nivel të ulët të ryshfetit me vetëm 10%, edhe pse ka hapësirë për përmirësim tregon që vendi ynë ka arritur që të kontrollojë mitëmarrjen në sektorin publik shumë më mirë se shtetet tjera. Në Shqipëri (me 34%) dhe në Bosnje dhe Hercegovinë (27%) ky fenomen është shumë më i përhapur”, tha Canhasi.

Ky raport i cili është zhvilluar në 42 shtete të Evropës dhe Azisë Qendrore, e rendit Kosovën të tretën në listë sa i përket mendimit qytetar se korrupsioni është njëri prej tri problemeve më të mëdha me të cilat ballafaqohet vendi.

Ndërsa 67 % e të anketuarve mendojnë se Qeveria e Kosovës nuk është duke bërë punë të mirë në luftimin e korrupsionit. /Insajderi.com