Ministria i përgjigjet Komunës së Prishtinës për konkursin për pedagogë dhe psikologë

Ministria i përgjigjet Komunës së Prishtinës për konkursin për pedagogë dhe psikologë

Komuna e Prishtinës gjatë ditës së sotme i bëri thirrje publike Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për ndalimin e procedurave të rekrutimit për konkursin e shpallur për “Psikologë dhe pedagogë” të datës 25 qershor 2019.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me datën 25.06.2019, ka hapur konkurs për “Psikologë dhe pedagogë” në institucione edukativo arsimore, ku në regjionin e Prishtinës parashihet të punësohen 6 psikologë dhe 4 pedagogë.

Në reagim, Komuna e Prishtinës thotë se konkursi është shpallur në kundërshtim me çdo dispozitë ligjore në fuqi, sa i përket kompetencës së shpalljes, rekrutimit dhe çdo faze tjetër të punësimit të profileve të caktuara si më lartë.

Sipas Komunës së Prishtinës, kompetente për punësim është institucioni i cili zhvillon procedurën e konkurrimit, lidh kontratë më të punësuarin, i cili është i obliguar që të përmbush të drejtat dhe detyrimet në vendin e punës të cilin e siguron punëdhënësi, ky i fundit njëherësh ka dhe obligimet e përcaktuara me dispozita ligjore në fuqi.

Por, Valmir Gashi, këshilltar i ministrit Shyqiri Bytyqi, në një përgjigje për KTV-në, thotë se në mungesë të politikave komunale, ministria përkatëse ka planifikuar një numër prej 50 pedagogëve/psikologëve, për të cilët e ka siguruar edhe buxhetin përkatës

“Kjo është një politikë e MASHT-it e bazuar edhe në rekomandimet e Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës për rritjen e këtij shërbimi profesional të pedagogëve/psikologëve në institucionet arsimore. Në mungesë të politikave komunale, dhe siç e dini që vendet për pedagogë/psikologë në të kaluarën edhe janë keqpërdorur nga komunat përkatëse duke i plotësuar këto vende me mësimdhënës, MASHT-i ka planifikuar një numër prej 50 pedagogëve/psikologëve, për të cilët e ka siguruar edhe buxhetin përkatës”, ka thënë Gashi.

Ai ka theksuar se është në kompetencë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të shpall konkurs për vende të lira që janë nën domenin e saj.