Ish-ministri i Arsimit nga PDK: Është koha për ta rishikuar cilësinë e universiteteve

Ish-ministri i Arsimit nga PDK: Është koha për ta rishikuar cilësinë e universiteteve

Enver Hoxhaj, zëvëndëskryeministër i Kosovës ka folur për mosakreditimin e universitetit publik të Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit, shkruan Insajderi.

Hoxhaj përmes Facebook ka folur në emër të partisë që i takon, PDK-së, duke thënë se mbyllja e këtyre universiteteve nuk është zgjidhje.

“Është i kuptueshëm reagimi publik gjatë 24 orëve të fundit lidhur me vendimin për mos lejimin e regjistrimit të studentëve të rinj në tri universitetet publike të vendit. Megjithatë, si PDK dhe qeveri mbesim të përkushtuar për të ndërmarrë sa më shpejt veprime të harmonizuara të të gjitha institucioneve që kanë përgjegjësi dhe kompetenca”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj që dikur mbante pozitën e ministrit të Arsimit ka thënë se është koha e duhur për ta rishikuar cilësinë, gjendjen e universiteteve dhe mbrojtjen e të drejtave të studentëve për shkollim.

“Kemi nevojë për një mobilizim shoqëror për të përkrahur zhvillimin e universiteteve sepse mbyllja e tyre nuk është zgjidhje”, ka përfunduar Enver Hoxhaj./Insajderi/