“E kam goditur me guri në kokë” – 21-vjeçari pranon se vrau të miturin në Fushë Kosovë

“E kam goditur me guri në kokë” – 21-vjeçari pranon se vrau të miturin në Fushë Kosovë

Veseli, 9 vjeçar, mundim pas mundimi, dhunim pas dhunimi, braktisje pas braktisjeje, përfundoi në mënyrën më tragjike të mundshme, i rrahur deri në vdekje. I dyshuari për vrasjen e tij, Sefedin Osmani, i cili si duket e ka dhunuar seksualisht në vazhdimësi të riun e komunitetit rom, e ka pranuar para hetuesisë se e ka kryer krimin. Tani që të gjitha kanë filluar ta dalin në shesh, po zbulohet se edhe reagimin i institucioneve për mbrojtjen e të riut nuk ishte i duhur.

Dhunimin e parë seksual, fizik e psikologjik tashmë i ndjeri K.Veseli e përjetoi në moshën 8-vjecare.

Ai bashkë me nënën e tij, Makfiren, vëllezërit e motrat, po kërkonin gjësende nëpër kontejnerë në lagje të ndryshme të Fushë Kosovës. Pikërisht derisa ishte “në vendin e tij të punës” duke  kontrolluar nëpër bërllok për të siguruar pak para,  K.Veseli po ngacmohej nga një djalë 10 vjet më i madh se ai, nga  19 vjecari me emrin Sefedin Osmani.

Rastin, K.Veseli bashkë me nënën e tij,  e kishte raportuar në policinë e Kosovës, në janarin e këtij viti. Por, Sefedini, që tani është i dyshuari kryesor për vrasjen e djalit të mitur të komunitetit rom, edhe pse po përballej me akuza për abuzim seksual, po vazhdonte të qëndronte në liri.

Policia e Kosovës në marsin e këtij viti, ishte mjaftuar vetëm me një kallëzim penal ndaj personit të dyshuar për kryerjen e këtij akti.

“Me datën 29 janar 2019, kemi pranuar informatën për një rast te keqtrajtimit seksual. Informata është trajtuar nga ana e policisë, me pas është iniciuar rast. Me datën 15 prill është ngritur kallëzim penal ndaj personit te dyshuar dhe i njëjti rast është proceduar ne prokurori”, kanë deklaruar për gazetën nga policia.

Për më shumë se gjashtë muaj, K.Veseli po torturohej fizikisht e psiqikisht nga fqinji i tij, Sefedini. Përgjatë kësaj periudhe ai ishte dhunuar seksualisht dy herë.

Por, rasti i dhunimit të parë i bërë gjatë vitit 2018 ndaj 9-vjecarit nga i dyshuari Sefedin Osmani nuk kishte qenë i vetmi. Ai ishte dhunuar edhe një herë tjetër nga Sefedini.  Këtë herë gjatë vitit 2019.

E edhe gjatë kësaj radhe, nëna e tij, Makfirja bashkë me të birin ishin ankuar në institucionet përgjegjëse duke kërkuar ndihmë.

Në shkurtin e vitit 2019, K.Veseli bashkë me të ëmën, Makfiren kishin folur për menaxherin e Qendrës Sociale në Fushë Kosovë, Bahri Bislimin, të cilit ia kishin treguar hallin e tyre.

Personi nga Qendra Sociale, Bahri Bislimi,  që është  marrë me familjen e të ndjerit K.Veselit, ka deklaruar se informatën për abuzimin seksual që 9-vjecari po e përjetonte e kishin marrë gjatë vitit 2018.

“Me datë 31.01.2018, ne jemi njoftuar nga policia se dyshohet se një person e ka keqtrajtua fëmiun. Ne kemi shku me polici e kemi vizituar fëmijën. Ai ka hezituar që të tregojë mbi rastin”, ka sqaruar menaxheri i rastit.

K.Veseli, në atë kohë nuk e kishte pranuar para punonjësve të Qendrës se ishte dhunuar. Por, pas 3 muajve, ai i ishte rrëfyer psikologes së Qendrës duke ia rrëfyer të gjithë rastin.

“Me datë 13.03.2019, ne e kemi ftu psikologun këtu në Qendrën për Punë. Fëmija nuk ka dashur që të ndahet nga nëna, por gjatë seancës psikologjike, ai ka pranuar se është keqtrajtuar seksualisht nga personi i dyshuar”, ka deklaruar Bislimi nga Qendra për Punë Sociale.

Por me gjithë këto raportime të nënës së viktimës, Prokuroria  e shtetit, rastin e kishte lënë rastin në procedurë të rregullt, dhe kishte pritur kapjen e të dyshuarit, që ndodhi në muajin korrik, pra pas më shumë se gjashtë muajve.

Përgjatë janarit e deri në korrik kur edhe viktima vdiq, institucionet nuk janë marrë me sigurinë dhe mirëqenien e tij.

Fitim Malokaj, i cili është avokat i të dyshuarit për vrasjen e 9-vjecarit, K.Veseli tha për Express se gjatë intervistimit nga hetuesit, klienti i tij ka pranuar se ka pasur kontakt me viktimën, K.Veseli dhe se e ka goditur atë me mjete të forta por që sipas tij ai nuk ka besuar se viktima ka vdekur.

“Mbrëmë sipas detyrës zyrtare më kanë thirr policia dhe kam shku në stacionin policor, departamenti për krime të rënda. Personi në fjalë është intervistu në cilësinë e të dyshuarit.  Kallëzimin penal policia e ka dërguar në prokurori. Prokuroria ende nuk e ka dërgua kërkesën për caktimin e paraburgimit. Gjatë intervistimit të të dyshuarit, ai e ka pranu veprën të cilën dyshohet se ka kryer. E kam goditë me guri, por nuk e kam ditë që e kam vra”, ka deklaruar avokati i të dashurit për vrasje.