Kapet mat pronari i autoshkollës në Prishtinë – i mori ryshfet një personi

Kapet mat pronari i autoshkollës në Prishtinë – i mori ryshfet një personi

Një pronar i një autoshkolle në Prishtinë dje është arrestuar nga Policia, pasi i njëjti ishte kapur në flagrancë duke ia marrë viktimës mashkull shqiptar një shumë parash me pretekst se do t’i ndihmojë për ta kaluar provimin praktik për patentë shofer.

Nga raporti 24-orësh i Policisë bëhet e ditur se i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Gjatë këtij muaji, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe njëzetetre (23) persona, shumica prej tyre zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

Përmes një komunikate për media më 5 korrik, Policia e Kosovës njoftoi se pas autorizimit nga Prokuroria Themelore “ka zhvilluar aktivitetet hetimore, duke siguruar prova dhe dëshmi relevante që lidhen me këto vepra penale”.

Sipas njoftimit, njëzetetre (23) të arrestuarit dyshohet se, përmes marrjes së ryshfetit, u kanë mundësuar kandidatëve të pajisen me patentë shoferë pa kaluar nëpër testet e nevojshme. /Insajderi.com