Kolegjit që nuk iu vazhdua akreditimi kërkonte kohë më shumë për përgatitjen e kritereve

Kolegjit që nuk iu vazhdua akreditimi kërkonte kohë më shumë për përgatitjen e kritereve

Kolegji privat “Kosovo Art Academy” ndaj të cilit Këshilli Shtetëror i Cilësisë kishte vendosur që të mos i vazhdojë akreditimin, është ankuar se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme t’i përmbushë kriteret e reja për akreditim.

Gazeta Online Insajderi kishte kërkuar një sqarim tash e disa ditë nga ky kolegj, në komunikatën e dërguar aty kolegji ka folur për akreditimet e viteve të kaluara. Lavdëron vetën për dy vitet e kaluara, por për këtë vit ankohet se nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për t’i plotësuar kriteret që sipas këtij kolegji janë të reja nga KShC-ja.

“Nga draft raporti i ekipit të ekspertëve të cilin e disponojmë, por pa rekomandimet për Këshillin Shtetëror të Cilësisë, mund të shihet që të gjeturat e ekspertëve për mos përmbushje të standardeve të reja (të përcaktuara në shtator të vitit 2018), janë kryesisht të natyrës teknike dhe ato mund të eliminohen brenda një periudhe shumë të shkurtër”.

“Në raportin e kaluar të ekspertëve nga viti 2017, ne kemi qenë kryesisht të lavdëruar se i plotësojmë pritjet dhe standardet e atëhershme dhe përqendrimi ynë ka qenë në plotësimin e sugjerimeve nga ai raport, të cilat janë plotësuar në tërësi gjatë viti 2017 dhe 2018”, thuhet në deklarimin e këtij kolegji.

Më tutje ky kolegj ankohet se afati prej 4 muajve për t’i përmbushur kriteret e reja ka qenë i pamjaftueshëm për “Kosovo Art Academy”.

“Në ndërkohë Agjencioni ka përcaktuar standarde dhe tregues tjerë të performancës, që janë prezantuar te ISHL-të e Kosovës në Shtator të vitit 2018, me kërkesë që të plotësojmë këto standarde deri në shkurt-mars të vitit 2019. Meqenëse mënyra e vlerësimit nga ekspertët ka ndryshuar tërësisht, afati 4 mujor për të implementuar të gjitha kërkesat dhe sugjerimet nga raporti i ekspertëve për Kosovo Art Academy ka qenë shumë i shkurtë”, thuhet më tutje.

Ky kolegj privat më tutje ka sulmuar Agjencinë Kosovare të Akreditimit dhe ekspertët të cilët kanë vendosur për mos akreditimin e këtij kolegji. “Kosovo Art Academy” thotë se ka konflikt të interesi mes ekspertëve të angazhuar për vlerësim.

“Në mes ekspertëve të angazhuar për vlerësim nga Agjencia Kosovare e Akreditimit ka të tillë që kanë konflikt interesi, sepse të njëjtit e kanë hartuar tërësisht Rregulloren me standarde dhe indikatorë të performancës për akreditim institucional dhe pastaj janë angazhuar nga Agjencia që të vlerësojnë se a janë plotësuar standardet që i kanë përcaktuar vetë ata”.

“Kjo i bie, si p.sh. një arkitekt i një objekti të caktohet edhe si ekspert për pranim teknik të atij objekti. Ky fakt, në mes fakteve tjera, e paraqet një bazë të fortë për ankesën tonë dhe procedurën tjetër të ndërlidhur, të cilën do ta parashtrojmë në lidhje me vendimin e KSHC”, thuhet më tutje në këtë deklarim të këtij kolegji.

Në fund të këtij njoftimi ky kolegj thotë se rreth 700 studentë kanë shprehur interesim për tu interesuar këtë vit.

“Kosovo Art Academy,  konsideron se vendimi i KSHC të Kosovës është i shpejtuar, sepse përveç argumenteve të cekura më lartë, Kosovo Art Academy, paraqet një investim të konsiderueshëm financiar dhe është bërë me përkrahje të një institucioni të ngjashëm të Akredituar në Bashkimin Evropian”.

“Në fund po e potencojmë që në listën e kandidatëve që kanë shprehur interesimin për t’u regjistruar në Kosovo Art Academy në këtë vit akademik, janë mbi 700 kandidat, dhe ky paraqet një zhgënjim të madh për ta dhe familjet e tyre”, thuhet në përfundimin e reagimit të këtij kolegji.

Disa ditë më parë KShC kishte vendosur që katër kolegje private mos t’i akreditoj për këtë vitë akademik. Përvec, “Kosovo Art Academy” edhe Iliria, Fama e Tempulli janë kolegjet private që nuk u është vazhduar akreditimi.

Po ashtu janë edhe tri universitete publike të cilat sipas KSHC-së nuk i përmbushin kriteret për të studiuar, student kosovarë./Insajderi.com