Kompania britanike “Fox Marble Holdings PLC”, e cila prej më shumë se 5 vitesh operon në Kosovë, ka ndërprerë punimet në një guror në Malishevë, si pasojë e një mosmarrëveshje në blerjen e dy kompanive të tjera, shkruan sot mediumi britanik Morningstar.co.uk.
“Fox Marble”, e cila merret me nxjerrjen e mermerit dhe granitit në Kosovë, bleu kompanitë Green Power Shpk dhe Scope Shpk për 1.3 milion funte në maj të këtij viti. Pikërisht kompania “Green Power” zotëron licencën për kryerjen e punimeve në gurorën e Malishevës.
Megjithatë, që prej marrëveshjes në muajin maj, firma “Green Power SHPK” ka sfiduar marrëveshjen e shitjes së aksioneve të kompanisë. Në anën tjetër, “Fox Marble” beson se pretendimet e tyre janë “tërësisht të pabazuara”.
Sidoqoftë, kompania britanike ka vendosur ta ndalojë punën derisa të zgjidhet kontesti me kompaninë “Green Power”.
Ndërkohë, “Fox Marble” do të përqëndrohet në guroret e Cervenillës dhe Syriganës në Kosovë, për të cilat ka licencë për shfrytëzim.
Kompaninë britanike “Fox Marble” e vizitoi disa muaj më parë edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Ai tha se Fox Marble nga Kosova është kompania e parë e regjistruar në bursën e Londrës nga viti 2012 dhe operon edhe me ekspertizë të jashtme.
“Ajo që është me rëndësi, qarkullimi vjetor është rreth 1 milion e 200 mijë euro, njëkohësisht 99 për qind të prodhimeve i eksporton, pra prodhimet e Fox Marble, arrijnë në Kinë, Indi, Angli, Amerikë, Turqi dhe Dubai”, tha kryeministri Haradinaj duke shtuar se vlera e investimeve në këtë kompani është 6 milionë euro, ndërsa në miniera rreth 8 milionë euro, numri i punëtorëve 76, ndërkaq planifikimi i investimeve për vitet që vijnë është rreth 20 milionë. /Insajderi.com