Kadri Veseli për të akuzuarit nga Specialja: Do të kthehen përsëri të pafajshëm e kryelartë

Kadri Veseli për të akuzuarit nga Specialja: Do të kthehen përsëri të pafajshëm e kryelartë

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka reaguar pas ftesave të bëra të Gjykatës Speciale ndaj ish-pjesëtarëve të UҪK-së.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo është një goditje për bashkëluftëtarët e tij të UÇK-së dhe se ata do të kthehen përsëri të pafajshëm e kryelartë.

“Kjo është një goditje për bashkëluftëtarët e mi, për UÇK-në dhe luftën tonë, por unë jam i sigurtë që do e kapërcejmë me kurajo dhe nder këtë sfidë së bashku dhe do dalim prej saj më të fortë se më parë. Unë jam i bindur se ata do të kthehen përsëri të pafajshëm e kryelartë sepse e drejta ka qenë dhe mbetet në anën tonë dhe ne kemi qenë në anën e duhur të historisë”, ka shkruar Veseli.

Më tutje Veseli ka potencuar se e lufta e popullit shqiptar për të jetuar i lirë është një ndër kapitujt më të ndritur të historisë sonë bashkohore dhe askush nuk do mund ta njollosi dot.

“Lufta e popullit shqiptar për të jetuar i lirë dhe i pavarur me dinjitet e krenari kombëtare në trojet e veta shekullore të Kosovës, është një ndër kapitujt më të ndritur të historisë sonë bashkohore dhe askush nuk do mund ta njollosi dot. Me keqardhje pranova sot lajmin e thirrjes nga gjykata speciale të ish-Zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Jakup Krasniqi menjëherë pasi janë thirrur tashmë ish- shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish- komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj dhe ish- anëtari i Shtabit të UÇK-së, Sokol Bashota”, ka shkruar Veseli.