“Ky ishte vendimi i madh para se të jepte dorëheqje Ramush Haradinaj”

“Ky ishte vendimi i madh para se të jepte dorëheqje Ramush Haradinaj”

Ramush Haradinaj, ka dhënë të premten dorëheqje të parevokueshme nga posti i të parait të Qeverisë së Kosovës, shkruan Insajderi.

Por pak para dorëheqjes, Qeveria kishte miratuar Strategjinë e Sigurisë, ku këtë zëvendës ministri i FSK-së, Burim Ramadani, po e quan si vendim të madh.

Ai në një publikim në rrjetin social Facebook, ka shkruar se ky ishte vendimi I fundit I madh para dorëheqjes së Haradinajt.

“Strategjia e Sigurisë së Kosovës u miratua të premten, më 19 korrik, në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ndërsa para tri ditësh më 16 korrik 2019 u miratua në Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

Kjo paraqet një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm në kompletimin e politikave strategjike të Kosovës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Strategjia e Sigurisë së Republikës së Kosovës, e cila është për të gjithë dhe promovon një vizion të vetëm: Kosova, e sigurt, e mbrojtur dhe prosperuese”, ka shkruar ai ndërsa ka thënë që kanë punuar 1 vit në lidhje me hartimin Strategjisë.

“Strategjia e Sigurisë është dokument i Kosovës. Merr për bazë nevojat dhe kërkesat e Kosovës në siguri, ndërsa kemi pasur këshillim të vazhdueshëm nga nivele të ndryshme të SHBA-së.

Qëllimet shtetërore strategjike:

  1. Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial për të garantuar sigurinë për të gjithë qytetarët nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme përmes përdorimit efektiv të të gjitha kapaciteteve shtetërore.
  2. Forcimi, avancimi dhe modernizimi i institucioneve për të ofruar shërbime të kualitetit më të mirë, përmirësuar efiçiencën, rritur besimin e publikut dhe për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.
  3. Përshpejtimi i zhvillimit ekonomik, rritja e konkurrueshmërisë, zvogëlimi i ekonomisë joformale dhe siguria energjetike.
  4. Thellimi i vazhdueshëm i partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneritetet tradicionale me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, anëtarësimi në NATO, si dhe kontributi aktiv në sigurinë rajonale dhe globale, përmes pjesëmarrjes aktive në mbështetje të paqes.

Kjo Strategji udhëzon veprimet për të ndërtuar ambientin e sigurt dhe të mbrojtur që do të mundësojë Kosovën të jetë prosperuese.

Strategjia definon politikat e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe identifikon listën unike të kërcënimeve ndaj sigurisë së Republikës së Kosovës.

Duke forcuar përparësitë, avancuar e modernizuar institucionet, Republika e Kosovës do të bëhet model rajonal i stabilitetit, sigurisë, mbrojtjes, dhe prosperitetit, një kontribuues aktiv në sigurinë rajonale dhe globale, me politika të barabarta fqinjësore të partneritetit, dhe plotësisht e aftë për t’u anëtarësuar në NATO, BE, OKB dhe organizatat tjera.

Strategjia për të bërë Kosovën të sigurt, të mbrojtur dhe prosperuese promovon vlerat e lirisë, sigurisë, paqes, demokracisë, barazisë, dhe prosperitetit.

Në periudhën vijuese, do të punojmë ngushtë me deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga të gjitha grupet parlamentare, për të prezantuar Strategjinë e Sigurisë, me pritje për mbështetje unanime të Kuvendit, qoftë sa më parë, qoftë pas zgjedhjeve”, ka përfunduar ai./ Insajderi.com