Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka qenë pjesëmarrës në debatin “Talk the Talk” me temën “Efekti i Taksës 100 për qind në ekonominë e vendit”.
Ministri Shala tha se janë dy arsye të vendosjes së taksës, që kanë ndikuar po ashtu në ekonominë e vendit dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.
“Arsyet e vendosjes së taksës janë ekonomike dhe politike”, tha Shala.
“Po ashtu Serbia ka rrezikuar qenien e Republikës së Kosovës, dhe sigurinë nacionale, dhe jemi detyruar të marrin masa”, tha ministri Shala gjatë debatit.
Ministri bëri të ditur se masa ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës nuk do të hiqet pa e ndryshuar qasjen këto dy shtete karshi Republikës së Kosovës.
“Serbia dhe Bosnja po e luftojnë qenien e Kosovës dhe po ashtu po na bllokojnë në politikën e jashtme, në anëtarësimin nëpër mekanizma ndërkombëtar. Dhe nuk ka arsye që masa të hiqet, por do të vazhdojë përderisa të mos largohen edhe arsyet pse është vendosur masa”, tha Shala në debatin në Kolegjin Riinvest.
Ministri tha se masa ka ndikuar që shumë prodhues vendor kanë rritur prodhimin, kanë hapur vende të reja të punës dhe kanë rritur kualitetin e prodhimeve.
“Të dhënat zyrtare tregojnë që ka pasur rritje të prodhimit dhe nuk ka pasur ngritje të çmimeve, përveç atyre që janë ndikuar në bursën ndërkombëtare. Përfitimet e Kosovës veçanërisht të prodhueseve janë të mëdha. Serbia është vendi i parë në rajon që vendos barriera ndaj Kosovës që nga paslufta. Ne nuk kemi vërejtur ngritje të çmimeve. Kjo masë e ka ndihmuar dhe po e ndihmon rritjen e prodhimit vendor, hapjen e vendeve të reja të punës dhe ngritjen e kualitetit të produkteve vendore”, tha ministri Shala.
Ministri po ashtu paralajmëroi masa edhe ndaj shteteve tjera që janë duke iu vendosur barriera produkteve të Kosovës, në rast se nuk e respektojnë marrëveshjen e CEFTA-së.
“I kam paralajmëruar masat shumë shpejt që mund të merren ndaj vendeve të CEFTA-së, që e kanë shkel marrëveshjen, do të marrin masa të njëjta. Se shpejti do të marrim masa edhe për pemë dhe perime, në mbrojtje të prodhimit vendor”, tha ministri Shala.
Ministri tha se masa ndaj Serbisë dhe Bosnjës ka dëshmuar për herë të parë që Kosova është shtet dhe vendos vet.