Gruaja në Prishtinë tregon se si “fajdexhinjtë” i shkonin në shtëpi

Gruaja në Prishtinë tregon se si “fajdexhinjtë” i shkonin në shtëpi

Dëshmitarja Vjollca Shala, në seancën e mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka deklaruar se gjatë vitit 2014 kishte pasur shqetësime e presion nga të akuzuarit për fajde, Gëzim Alija, Afrim Borovci e Artan Sjedija.

Së bashku me këta të fundit, i akuzuar për fajde është edhe Adem Grashtica, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë dëshmisë së saj, Shala ka thënë se i njeh të akuzuarit, pasi sipas saj, të njëjtit i kishin shkuar në banesë dhe në lokalin e saj ”Autocenter” dhe e kishin shqetësuar duke e sharë, ofenduar dhe duke i kërkuar para që sipas tyre bashkëshorti i saj, Arton Shala, iu kishte borxh atyre.

Shala tha se fillimisht i ishte paraqitur i akuzuari Gëzim Alija, i cili i kishte thënë se bashkëshorti i saj i ka borxh axhës së tij Behxhetit dhe se ai ka shkuar për t’i marrë paratë.

“Gëzimi ka ardh edhe më ka thanë unë kom me t’i pru Sekiraqt e me të qit edhe prej banese se ju keni borxh e po i ushqeni fëmijët tuaj me pare tona” tha Shala.

Tutje, Shala tha se i akuzuari Alija kishte qenë disa herë tek banesa e saj por ajo nuk e kishte hapur derën se nuk kishte dashur të shqetësonte fëmijët e saj.

“Gëzimi kur ka ardh edhe më ka fol me fjalë ofenduese shumë të rënda e pas tij kanë nisë me ardh tjerët” tha Shala.

E njëjta deklaroi se gjatë asaj kohë burri i saj, Arton Shala, nuk kishte qenë në shtëpi por në një udhëtim jashtë vendimi.

“Unë e kuptova më pas se ato para ishin me fajde edhe pse isha ende si në mjegull. Artoni më pas më tha se ‘kanë me ardh se këta qashtu jonë’, po pse ka marrë pare me fajde dhe sa i ka marrë nuk më ka tregu” tha dëshmitarja.

Lidhur me punën e fajdeve, Shala tha se fillimisht e kishte marrë vesh nga të tjerët, e më pas bashkëshorti i saj i kishte treguar, duke shtuar se te ky i fundit kishte filluar ta humb besimin me arsyetimin se i kishin shkuar njerëz të ndryshëm duke i kërkuar shuma të ndryshme të të hollave.

Ajo tha se në bazë të të akuzuarit Artan Sejdija ajo e kishte kuptuar se burri i saj ka borxh edhe te i akuzuari Afrim Borovci, prej të cilit kinse kishte marrë 50 mijë euro.

Shala tha se nuk e kishte lajmëruar rastin në polici pasi që bashkëshorti i saj i kishte thënë se fajdexhitë i kanë njerëzit e vetë në polici dhe se as policia s’ka çka ju bën.

E njëjta më pas shtoi që pas diskutimeve të njëpasnjëshme me burrin e saj, kishin ardhur në përfundim se duhet shkuar në polici, gjë të cilën e kishte bërë Arton Shala në fillim të vitit 2015.

Dëshmia e Shlës do të vazhdojë edhe në seancën e  radhës e caktuar për 25 korrik 2019, në orën 13:15.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 tetor 2017, të akuzuarit Afrim Borovci, për periudhën 2013-2014, Adem Grashtica, për periudhën 2011-2014, Gëzim Alija, për periudhën 2013-2015, dhe Artan Sejdija për periudhën 2009-2015, kanë kontraktuar shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë për vete në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Arton Shala.

Sipas kësaj aktakuze të akuzuarit Adem Grashtica dhe Gëzim Alija, kanë kryer veprën penale fajdeja nga neni 343 paragrafi 1 e dënueshme nga 6 muaj deri në 5 vite. Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit Afrim Borovci dhe Artan Sejdija kanë kryer veprën penale fajdeja nga neni 343 paragrafi 3, e dënueshme prej 3 deri në 12 vite.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Afrim Borovci, ka kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë për vete në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit Arton Shalës, në atë mënyrë që gjatë vitit 2013, pasi që janë marr vesh në lokalin e të dëmtuarit ku ishte prezent edhe i pandehuri Artan Sejdija, më 18.04.2013, përmes një deklarate noteriale, i pandehuri Borovci, i ka dhënë të dëmtuarit shumën prej 48.000.00 euro, në formë të huazimit në afatin e kthimit prej një viti.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me marrëveshje gojore ishte që i dëmtuari Arton Shala të merr 50.000.00 euro, me kamatë mujore prej 2000 euro, ndërsa i dëmtuari ia ka paguar këtë kamatë përmes vëllait të tij, Labinot Shala në lokalin e të pandehurit Borovci, “Baron”, te Pallati i Rinisë në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, i akuzuari Adem Grashtica, gjatë periudhës kohore nga viti 2011 deri në shtator 2014, ka kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë për vete në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit Arton Shalës, në atë mënyrë që në lokalin “Intereminex”, në Prishtinë gjatë vitit 2012, të dëmtuarit Arton Shalës fillimisht ia ka dhënë 20.000.00 euro, në formë të huazimit, ndërsa i dëmtuari ia ka paguar borxhin dhe kamatën mujore prej 2500 euro. Pasi e ka paguar këtë shumë përsëri nga i pandehuri ka marr edhe tri herë para me fajde gjithsejtë 65.000.00 euro, ku për çdo muaj ka paguar nga 7.000.00 euro, kamatë ku shuma totale e kamatës arrijnë rreth 70.000.00 euro.

Prokuroria të akuzuarin Gëzim Alija e akuzon se ka kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë për vete në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë, financiare të dëmtuarit Arton Shalës, në atë mënyrë që prej fundit të vitit 2013, e deri në tetor 2015, të dëmtuarit Arton Shalës fillimisht e ka dhënë 30.000.00 euro, në formë të huazimit, në afatin të kthimit prej një viti ndërsa i dëmtuari ia ka paguar kamatën mujore prej 3,000.00 euro,  dhe pasi e ka paguar këtë shumë deri në muajin gusht 2014, përsëri i dëmtuari Arton Shala, nga i pandehuri ka marr edhe tri herë para me fajde gjithsejtë prej 65.000.00 euro, ndërsa i pandehuri Gëzim në emër të kamatës i ka marr nga i dëmtuari Arton Shala, 18.000.00 euro, ndërsa ia ka kërkuar edhe borxhin fillestar prej 30.000.00 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Artan Sejdija ka kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë për vete në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit Artan Shalës, në atë mënyrë që nga fundi i vitit 2009, e deri në tetor 2015, të dëmtuarit Artan Shalës ia ka dhënë 50.0000.00 euro, si dhe veturën e tipit “Golf”, në vlerë prej 15.000.00 euro, në formë të huazimit.

Mirëpo, pasi i pandehuri ka shkuar në SHBA, përmes telefonit ia ka kërkuar që të ia paguaj kamatën nga 1500.00 euro, të cilën i dëmtuari ia ka paguar përmes “Ëester Union Bank” ashtu që brenda 24 muajsh  ia ka paguar shumën prej 30.000.00 euro, për “kryegjënë” si dhe çdo muaj ia ka paguar kamatën mujore prej 1500.00 euro, kështu që gjithsejtë ka paguar 80.000.00 euro.