Prokuroria Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj A.G për veprën penale “vjedhja e shërbimeve komunale”.
Sipas aktit akuzues, i akuzuari ka shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë të paautorizuar, duke bërë lidhje direkte jashtë pikës matëse, me ç’rast i ka shkaktuar dëm KEDS-it në vlerën mbi 452 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar seancën e shqyrtimit fillestar më 18 korrik 2019, në të cilën ka munguar i akuzuari A.G, pasi nga fletëkthesa konstatohej se i njëjti ka ndërruar jetë.
Lidhur me këtë konstatim, gjykatësi Kushtrim Shyti kishte kërkuar të dhëna nga Policia e Kosovës dhe Shërbimi i Gjendjes Civile, për të konfirmuar faktin nëse i akuzuari A.G ka vdekur.
Policia e Kosovës, duke vepruar sipas kërkesës së gjykatësit Shyti, përmes parashtresës së dërguar në gjykatë më 20 korrik, kishte njoftuar se i akuzuari ka vdekur.
Konfirmim të ngjashëm gjykatës i ka dërguar edhe Shërbimi i Gjendjes Civile, të cilët shkresës së dërguar në gjykatë më 23 korrik i kanë bashkangjitur edhe certifikatën e vdekjes së të akuzuarit A.G.
Në këto rrethana,të martën, u mor vendimi që të hudhet aktakuza e ngritur më 20 dhjetor 2016, duke u pushuar kështu procedura penale kundër të akuzuarit.
“Pas shikimit në certifikatën e vdekjes me numër të referencës 12/2016RV/1301, me numër rendor 33, ka vërtetuar se i pandehuri ka vdekur më 18 janar 2007 në Akllap” thuhet në vendimin e gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 22 dhjetor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj A.G. për shkak të veprës penale “vjedhja e shërbimeve komunale”, nga neni 320 të KPRK-së.
Sipas prokurorisë, më 16 dhjetor 2015, në shtëpinë e tij në fshatin “Hajvali”, Komuna e Prishtinë, i akuzuari ka shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë të paautorizuar .
Prokuroria pretendon se i njëjti ka bërë anashkalimin e njësisë matëse-njehsorit elektrik, duke bërë lidhje direkte jashtë pikës matëse pa autorizimin e furnizuesit përkatës, KEDS-it, me qëllim që rryma e shpenzuar të mos regjistrohet dhe faturohet fare, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 452,36 euro. /Betimipërdrejtësi