Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka cilësuar të turpshme ngjarjen tek Teatri Kombëtar në Tiranë ku pati përplasje mes policisë dhe artistëve.
“Rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme”, tha Meta.
Ai i bëri thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata.
“I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kontributeve të vyera që kanë dhënë për artin e kulturën kombëtare”, vijoi Meta.
Në fund presidenti shqiptar shkroi: “Shumë turp! Shumë turp! Shumë turp!”.