Përfundon gjykimi për ish-ministrit të Shëndetësisë që akuzohet për ngacmim seksual

Përfundon gjykimi për ish-ministrit të Shëndetësisë që akuzohet për ngacmim seksual

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar që ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-zëvendësministër në Qeverinë Haradinaj, Numan Baliq,  të shpallet fajtor dhe të dënohet për ngacmim.

Në seancën e mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Pejë, prokurorja Lumturije Hoxha deklaroi se nga provat materiale dhe dëshmitë e dëshmitarëve janë vërtetuar pretendimet e prokurorisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas prokurores Hoxha, të njëjtat janë vërtetuar edhe më dëshminë e të dëmtuarës S.M, duke shtuar se i akuzuari Baliq vazhdimisht e kishte ngacmuar të dëmtuarën duke i dërguar mesazhe me përmbajtje dashurie.

Prokurorja Hoxha kërkoi nga gjykata që të mos i besojë deklaratës së të pandehurit Baliq, lidhur me atë se kishte qenë i provokuar nga e dëmtuara, pasi sipas saj është vetëm një tentim për t’i ikur përgjegjësisë penale.

Në anën tjetër, i pandehuri Baliq, gjatë fjalës së tij përfundimtare, tha se nuk e ndien veten fajtor për veprën me të cilën ngarkohet, duke thënë se asnjëherë nuk e kishte ngacmuar me fjalë apo veprime të dëmtuarën S.M.

Baliq tha se e dëmtuara ishte pjesëmarrëse e një kampanje politike të organizuar nga kundërshtarët e tij politik, për ta degraduar moralisht dhe politikisht.

Sipas të akuzuarit, dëshmitarët të cilët ishin nxënësit e klasës së tij dhe shokë të të dëmtuarës kishin dëshmuar se sjelljet e tij ishin sikur të ishte prind i tyre, kurse sipas tij, në favor të dëmtuarës kishin dëshmuar vetëm familjarët e saj.

Në fund, i pandehuri Baliq kërkoi nga Gjykata Themelore në Pejë që ta liroj nga akuza për ngacmim, me arsyetimin se nuk ishte fajtor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Sejdi Blakaj nuk bëri të ditur se kur do të bëhet shpallja e aktgjykimit për këtë rast edhe pse konstatoi se shqyrtimi gjyqësor ka përfunduar.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 31 janar 2019, Numan Baliq akuzohet se nga muaji gusht i vitit 2018 ishte përfshirë në vëmendje të vazhdueshme dhe të padëshirueshme  me qëllim të ngacmimit dhe të frikësimit të dëmtuarës  S.M.

Sipas aktakuzës, kur e dëmtuara S.M kishte filluar kryerjen e praktikës në Spitalin Regjional në Pejë, i pandehuri, edhe pse e dëmtuara e kishte refuzuar në vazhdimësi, i njëjti i shkruante në numrin e saj në “Viber” me përmbajtje ngacmuese.