Avdullah Hoti prezanton programin e LDK-së për qeverisje

Avdullah Hoti prezanton programin e LDK-së për qeverisje

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti përmes një postimi në llogarinë e tij ka prezentuar disa nga pikat e programit qeverisësë të LDK-së.

Sipas Hotit qeveria e re do të jetë normale, me njerëz kompetentë e atdhetarë, që respektojnë ligjin, që ruajnë miqësitë.

Ndërkohë që ka drejtuar kritika për qeverinë tashmë të dorëhequr të Ramush Haradinajt, duke e quajtur qeveri e kaosit, e zhvatjes së buxhetit, e izolimit të lidershipit të Kosovës, e dështimit të diplomacies.

‘’Në fillim domosdo duhet sanuar dëmet që po i lë prapa qeveria e PAN-it, një qeveri e kaosit, e zhvatjes së buxhetit, e izolimit të lidershipit të Kosovës, e dështimit të diplomacisë dhe çnjohjeve për shtetin e Kosovës, e ministrave me aktakuza, e takimeve me njerëz të krimit, që urdhëron e kërcënon prokurorë, që i refuzohet visa nga vendi më mik i Kosovës, që ndan buxhet për frizere e roleta, që shpërdoron buxhetin në përvjetore të pavarësisë e në projekte të ndryshme, që merr vendime vetëm për interesa ekonomike të këshilltarëve të vetë, që ja dyfishon pagën vetes, që ndaj pronën publike e nacionalizon pronën private kundërligjshëm, qeveri me pesë ‘kryeministra’, 21 ministra, 80 zëvendësministra, me qindra këshilltarë e me koordinatorë nacional”, shkruan Hoti.

Sipas Hotit, plani katër vjeçar i LDK-së do të përfshijë reforma rrënjësore në ekonomi, arsim, shëndetësi, sundim të ligjit, siguri nacionale, integrime rajonal e euro-atlantike etj.

“(i) Në fushën e ekonmisë, bizneset do të marrin prapë frymë lirisht.  (ii) Arsimi do të lirohet nga diktati i kryeministrit dhe ministrit të arsimit. (iii) Në shëndetësi, urgjentisht do të funksionalizohen sigurimet shëndetësore. (iv) Në fushën e rendit dhe ligjit, na duhet vetingu dhe reforma që sigurojnë sistem efikas. (v) Diplomacia do të jetë efektive dhe profesionale, fillimisht duke eliminuar nepotizmin dhe politizimin. (vi) Kosova do të jetë faktor paqe e stabiliteti në rajon.  (vii) Integrimet rajonale do të thellohen krahas integrimit evropian”, thuhet në pikat e programit të LDK-së.