Ministri i Diasporës paralajmëron padi ndaj Lëvizjes Fol

Ministri i Diasporës paralajmëron padi ndaj Lëvizjes Fol

Ministri i Diasporës, njëhershit edhe zëvendëskryeministri i vendit, Dardan Gashi ka paralajmëruar padi ndaj organizatës jo qeveritare “Lëvizja Fol” rreth deklarimit të pasurisë së tij.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Gashi ka shkruar se “Lëvizja FOL” ka rritur vlerën e e pasurisë së tij.

“Lëvizja FOL në publikim që ka lansuar sot, paska rritur pasurinë time në më shumë se 1ml euro, gjë e cila nuk është aspak e vërtet. Përkundrazi më lejoni të ju njoftoj se pasuria ime vetëm se është zvogëluar në tre vitet e fundit. FOL qëllimshëm ose jo, paska rritur vlerën e letrave me vlerë që unë posedoj”, ka shkruar Gashi.

Gashi thotë se Lëvizja Fol ka rritur vlerën e pasurisë së tij për më shumë se 1 milionë.

“Por siç mund ta shihni edhe ju, në deklarimin tim të pasurisë të bërë në vitin 2015, vlera e letrave është krejt tjetër. Unë kam deklaruar dy lloj letra me vlerë në Agjencinë Anti Korrupsion në vitin 2015 me këto vlera: Njëra 15.00 dhe tjetra 145.00. Ndërsa Lëvizja FOL në publikim e saj këtyre letrave u ka rritur vlerën për më shumë se 1 ml. Vlerat te ky publikim figurojnë 1.576.007.00”, ka shkruar Gashi.

“Personalisht do marr të gjitha masat e nevojshme, përfshirë edhe padi, për pavertëtsinë e këtij dokumenti”, ka përfunduar Gashi. /Insajderi.com