Haradinaj thumbon ndërkombëtarët për Vuçiqin, njeriun e Millosheviqit

Haradinaj thumbon ndërkombëtarët për Vuçiqin, njeriun e Millosheviqit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tërhoqi vërejtjen në siç tha, problemet në drejtpeshimin e trysnisë së bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës.

Haradinaj i cili një ditë më parë u kthye nga Haga ku ishte thirrur nga Prokuroria e Posaçme për krime lufte në Kosovë, kishte treguar se ai është detyruar të jap dy herë dorëheqje për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare, shqetësime të tilla nuk kanë udhëheqësit aktual serb, që ishin pjesë e regjimit të Slobodan Millosheviçit.

Haradinaj është pyetur për vendimin për tu mbrojtur në heshtje nga hetuesit e Gjykatës Speciale. Ai tha se për një vendim të tillë është këshilluar me një ekspert ligjor.

“Unë kam qenë i mbështetur nga një ekspert ligjor i cili pas diskutimit për arsyen pse jam i thirrur, vlerësoi se ky është pozicioni i duhur”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri në dorëheqje ka thënë se është i habitur për ftesën që i është bërë nga Gjykata Speciale. Thotë se qëndrimet e tij i ka shprehur në mënyrë mjaftë të sinqertë ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

“Do të thotë unë e kam kryer obligimin ligjor si rezultat i një ftese për t’u paraqitur si i dyshuar në bisedë hetuese. Kam dhënë dorëheqje prej kryetarit të qeverisë dhe vetvetiu kjo ka ndikime politike ftesa, duke pasur parasysh faktin se unë kam qenë dy herë në procese gjyqësore dhe ja kam dhënë mundësinë drejtësisë ndërkombëtare që ta shqyrtoj atë periudhë, periudhën e luftës në tërësi”.

“Jam mjaft i habitur me këtë ftesë. Ka plot dyshime në Kosovë se mund të jetë një konspiracion, por ajo që mund të konfirmoj është që besoj në ato qëndrime politike që i kam shprehur në mënyrën më të sinqertë ndaj partnerëve ndërkombëtarë e që është pra; kufijtë e Kosovës nuk janë të diskutueshëm dhe nuk bën të diskutohet për territorin dhe kufijtë, marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet për njohje reciproke në kufijtë ekzistues sepse për Kosovën është e papërballueshme një krijesë si Dodik Republikë sepse na e bjen Rusinë në Kosovë dhe njëkohësisht tregtia e lirë pra duhet të jetë e arritur me njohje edhe tarifa hiqet me njohje”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj ka kujtuar se si ai ka dhënë dy herë dorëheqje nga posti i kryeministrit, ndërsa Aleksandar Vuçiq si ministër i Millosheviqit nuk ka asnjë shqetësim ndërkombëtarë.

“E kam dhënë dorëheqjen njëherë e kam dhënë dytën herë, ndërsa në anën tjetër është zoti (Aleksandër) Vuçiç që ishte ministër i zotit (Slobodan) Millosheviç dhe dihet që regjimi i Millosheviçit çfarë krime ka kryer në Ballkan jo veç në Kosovë por edhe në vende tjera edhe ai nuk ka shqetësime të asnjë natyre. Pra kjo dëshmon një disbalanc të logjikave të presionit të bashkësisë ndërkombëtare e që duhet të korrigjohen sa më shpejt”, ka deklaruar Haradinaj./Insajderi.com